
Shqipëria do të ngjitet në skenën e Eurovision 2026 në Gjysmëfinalen e Dytë, më 14 maj, sipas shortit zyrtar që përcaktoi formacionin e dy netëve kualifikuese të edicionit të 70 të Konkursit të Këngës në Eurovision. Shorti u zhvillua në Rathaus të Vjenës, qyteti pritës i këtij edicioni jubilar.
Në total marrin pjesë 35 transmetues, ndërsa 30 vende mësuan pozicionin e tyre në shortin e Gjysmëfinaleve: 15 u renditën në Gjysmëfinalen e Parë dhe 15 në Gjysmëfinalen e Dytë. Para hedhjes së shortit, vendet u ndanë në pesë grupe, mbi bazën e modeleve historike të votimit, me synimin që shpërndarja të ishte sa më e balancuar.
Dy Gjysmëfinalet zhvillohen më 12 dhe 14 maj, ndërsa rendi i saktë i performancave do të përcaktohet deri në fund të muajit mars. Nga secila Gjysmëfinale, 10 vendet më të votuara, pas kombinimit të votës së publikut dhe jurisë, do të sigurojnë biletën për Finalen e Madhe të 16 majit.
Në Finalen e Madhe do t’u bashkohen edhe pesë shtete të kualifikuara automatikisht: Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, si edhe fituesja e vitit të kaluar, Austria. Edhe pse të kualifikuara direkt, këto vende janë të detyruara të transmetojnë dhe të votojnë në njërën prej Gjysmëfinaleve.
Formacioni i Gjysmëfinaleve
Gjysmëfinalja e Parë, 12 maj
Gjeorgjia, Portugalia, Kroacia, Suedia, Finlanda, Moldavia, Greqia, Mali i Zi, Estonia, San Marino, Polonia, Belgjika, Lituania, Serbia, Izraeli
Gjysmëfinalja e Dytë, 14 maj
Armenia, Rumania, Zvicra, Azerbajxhani, Luksemburgu, Bullgaria, Çekia, Shqipëria, Danimarka, Qipro, Norvegjia, Malta, Australia, Ukraina, Letonia
Me Shqipërinë të vendosur në Gjysmëfinalen e Dytë, vëmendja tani zhvendoset te muaji mars, kur do të përcaktohet rendi final i performancave, një detaj që shpesh ndikon në ritmin e natës dhe dinamikën e garës. Deri atëherë, gara hyn në fazën e pritjes, ku çdo zhvillim rreth këngës, skenës dhe paraqitjes pritet të ushqejë edhe më shumë interesin e publikut.
