Meghan Markle mund të shkelë sërish në Mbretërinë e Bashkuar më shpejt nga sa pritej. Dukesha e Sussex mund të kthehet këtë verë në Britani, për herë të parë pas katër vitesh, për të mbështetur Princin Harry në nisjen e aktivitetit simbolik “një vit para” për Invictus Games, që pritet të mbahet në korrik.

Edicioni i radhës i këtij eventi ndërkombëtar shumë sportësh do të zhvillohet në vitin 2027 në Birmingham të Anglisë. Ende nuk ka një konfirmim nëse Meghan do të jetë e pranishme krah bashkëshortit të saj, por në të kaluarën ajo ka marrë pjesë në ceremoni të ngjashme që organizohen një vit para zhvillimit të garës, si në Kanada dhe në Gjermani.

Nëse kjo vizitë realizohet, ajo do të shënonte rikthimin e saj të parë në Mbretërinë e Bashkuar që prej shtatorit 2022, kur mori pjesë në ceremoninë mortore të Mbretëreshës Elizabeth II.

Sipas asaj që raportohet, vendimi i Meghan për të udhëtuar do të varet edhe nga një çështje që prej vitesh ka qenë në qendër të debatit për çiftin, siguria gjatë qëndrimeve në Britani. Për Princin Harry, rikthimi i aksesit te mbrojtja zyrtare është një pikë kyçe, veçanërisht kur bëhet fjalë për lëvizjet me familjen.

Kohët e fundit, Harry ka pasur një zhvillim që është konsideruar si një hap i vogël pozitiv në këtë proces. Është ndërmarrë një vlerësim i ri rreziku dhe është përcaktuar se ai përmbush pragun për mbrojtje zyrtare, ndërsa një rishikim i mëtejshëm vijon të jetë në proces.

Që prej dorëheqjes nga detyrat mbretërore në vitin 2020, Harry dhe Meghan humbën sigurinë e financuar nga shteti. Prej asaj kohe, çifti nuk i ka sjellë fëmijët e tyre, Archie 6 vjeç dhe Lilibet 4 vjeç, në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2022, kur morën pjesë në festimet e Jubileut të Platinit.

Në maj 2025, Harry humbi një apel në lidhje me këtë çështje, ndërsa më pas u shpreh se proceset e ndjekura nuk ishin zbatuar si për individë të tjerë me profil të lartë dhe rrezik të shtuar. Ai ka deklaruar gjithashtu se familja e tij ka qenë objekt kërcënimesh serioze, përfshirë kërcënime nga ekstremistë, dhe ka paralajmëruar se do të vazhdojë betejën ligjore, duke kërkuar edhe rishikim të mënyrës si merren vendimet për sigurinë e tij.

Në sfond, marrëdhëniet e Princit Harry me familjen mbretërore mbeten të acaruara, me raportime të vazhdueshme për distancë nga Mbreti Charles III dhe Princi William. Në këtë klimë, çdo udhëtim i mundshëm i Meghan në Britani shihet jo vetëm si një lëvizje personale, por edhe si një test tjetër i realitetit të ri të çiftit, mes angazhimeve publike, sigurisë dhe kufijve që ata kërkojnë të vendosin.