Rihanna duket se nuk e përjashton idenë e zgjerimit të familjes dhe e tha këtë në mënyrën e saj tipike: me humor.

Nën një video të publikuar në Instagram më 11 janar nga Montana Rose Brown, ish-yll i “Love Island”, ku ajo shkruante me batutë se në 2026 po “vendos nëse do bëhet hot dhe seksi, apo do mbetet shtatzënë”, Rihanna la një koment që u lexua menjëherë si një “hint” për beben numër katër.

“Prit! Pra nuk jam e çmendur atëherë? Mirë pra!”, shkroi këngëtarja në seksionin e komenteve më 12 janar, duke e kthyer postimin në një moment viral.

Rihanna dhe A$AP Rocky janë prindër të tre fëmijëve. Vajza e tyre, Rocki, erdhi në jetë më 13 shtator, ndërsa dy djemtë e çiftit janë RZA, i lindur në 2022, dhe Riot, i lindur në 2023. Çifti është bashkë që nga viti 2020 dhe, edhe pse ruajnë privatësinë për marrëdhënien, flasin shpesh me qetësi për familjen dhe të ardhmen.

Në një intervistë të mëparshme, Rihanna është shprehur se nuk e sheh jetën sipas një “rendi të detyrueshëm”, duke nënkuptuar se nuk i vendos vetes kufij nga pritshmëritë sociale.

Për momentin, komenti i saj mbetet thjesht një shaka me nëntekst, por mjaftoi për të ndezur menjëherë diskutimet: a ishte thjesht humor i Rihanna-s, apo një sinjal që në familjen e saj mund të ketë edhe një kapitull tjetër shumë shpejt?