
Modelja e njohur Dajana Kalo po kalon një nga momentet më të vështira të jetës së saj, pasi ka pësuar hemorragji cerebrale si pasojë e një Malformacioni Arteriovenoz (MAV).
Sipas informacionit të bërë publik, gjendja e saj shëndetësore është e rënduar dhe aktualisht ajo nuk është në gjendje të lëvizë dorën dhe këmbën e djathtë, ndaj ka nevojë për kujdes të specializuar dhe trajtim të vazhdueshëm.
Në ditët në vijim, Dajana pritet t’i nënshtrohet një operacioni urgjent dhe shumë delikat në tru. Pas ndërhyrjes, do të nisë një proces i gjatë rikuperimi, i cili përfshin rehabilitim intensiv, terapi fizike dhe trajtime neurologjike, me synim rikthimin gradual të funksioneve dhe forcës.
Për të përballuar kostot e trajtimit dhe të rehabilitimit, është hapur një fushatë ndihme në GoFundMe. Organizatorët theksojnë se çdo kontribut, sado i vogël, mund të bëjë realisht diferencën, ndërsa edhe shpërndarja e fushatës dhe mesazhet e mbështetjes konsiderohen po aq të rëndësishme për t’i dhënë Dajanës forcë dhe shpresë në këtë etapë kritike.
Ndërkohë, rrjetet sociale kanë nisur të mbushen me urime dhe solidaritet për modelen, ndërsa të afërmit dhe mbështetësit kërkojnë që kjo thirrje ndihme të arrijë sa më larg, për t’i qëndruar pranë në betejën që e pret.
