Të del mavijosje me një prekje të vogël, ose edhe pa e kuptuar fare? Në pamje të parë mund të duket thjesht bezdisëse, por ndonjëherë mund të sinjalizojë një çekuilibër ushqimor, shpjegon naturopatja pariziene Lydie Palmieri. Një nga shkaqet e mundshme është mungesa e theksuar e vitaminës C, e cila është e domosdoshme për enë gjaku të forta dhe një lëkurë të shëndetshme.

Pse më dalin mavijosje kaq lehtë
Mavijosja ndodh kur enëzat e vogla të gjakut çahet poshtë lëkurës dhe gjaku “rrjedh” në indet përreth. Kur gjithçka është në rregull, këto kapilarë janë të fortë dhe elastikë. Kur bëhen më të brishtë, edhe një goditje e lehtë mjafton për të krijuar hematomë, pra mavijosje.

Mjeku Howard E. LeWine, kryeredaktor mjekësor i Harvard Health Publishing, vëren se në raste të rralla mungesat e vitaminave dhe mineraleve mund të japin mavijosje në lëkurë. Shembulli më i njohur është skorbuti nga mungesa e vitaminës C. Mavijosja mund të lidhet edhe me mungesë zinku ose mungesë të disa vitaminave të grupit B.

Vitamina C dhe shëndeti i lëkurës
Mungesa e vitaminës C është ndër shkaqet më të shpeshta dhe më të nënvlerësuara të mavijosjeve. Kjo vitaminë luan rol kyç në forcimin e mureve të enëve të gjakut. Kur mungon, dobësohet rrjeti kapilar.

Vitamina C, e njohur edhe si acidi askorbik, është thelbësore për sintezën e kolagjenit, proteina “skelet” që mban të bashkuar lëkurën, indet dhe vetë enët e gjakut. Kur marrja është e pamjaftueshme, muret kapilare bëhen më të depërtueshme dhe më të prirura ndaj mikroçarjeve, prandaj mavijosjet shfaqen më lehtë. Siç shpjegon Palmieri, trupi i njeriut as nuk e prodhon dot vitaminën C, as nuk e ruan mirë për një kohë të gjatë. Prandaj nevojitet marrje e përditshme, sidomos në periudha stresi, lodhjeje, ose kur ushqimi ka pak fruta e perime të freskëta.

Një studim shkencor që ka analizuar lidhjen mes vitaminës C dhe mavijosjeve thekson se një dietë me fruta e perime të freskëta, ose suplementimi me vitaminë C, është i rëndësishëm për të parandaluar mungesën. Simptomat e skorbitit mund të shfaqen edhe brenda katër javësh nëse dieta është pa vitaminë C.

Shenja të tjera të mungesës së vitaminës C
Mavijosjet nuk janë e vetmja shenjë. Vitamina C është e përfshirë në shumë funksione të trupit, ndaj mungesa e saj shpesh shfaqet edhe në mënyra të tjera. Instituti Kombëtar i Shëndetit thekson se vitamina C ka veti të rëndësishme antioksiduese që mbrojnë qelizat nga dëmtimi i radikaleve të lira. Po ashtu ndihmon rritjen dhe riparimin e lëkurës, kërceve, kockave dhe dhëmbëve. Shenjat klasike të mungesës përfshijnë qime të përdredhura, gjakderdhje rreth folikulave dhe gjakderdhje të mishrave të dhëmbëve. Ja edhe disa shenja të tjera të zakonshme

1-Sëmuresh shpesh
Nëse ftohesh shpesh, infeksionet zgjatin, ose rikuperimi është i vështirë, mund të jetë shenjë mungese. Vitamina C ndihmon funksionimin e qelizave të bardha të gjakut dhe mbështet imunitetin.

2-Lodhje e vazhdueshme
Nëse ndihesh i lodhur edhe pas gjumi të plotë, mund të ketë mungesë. Vitamina C kontribuon në prodhimin e energjisë dhe në uljen e ndjesisë së rraskapitjes.

3-Lëkurë e zbehtë dhe pa shkëlqim
Të gjithë flasin për vitaminën C në kremra, por baza është ushqimi. Pa mjaftueshëm vitaminë C, sinteza e kolagjenit bie, ndaj lëkura mund të duket pa jetë, me më shumë rrudha dhe me më pak elasticitet.

4-Mishra dhëmbësh që gjakosin
Mishrat e ndjeshëm ose gjakderdhja gjatë larjes së dhëmbëve mund të jenë sinjal alarmi. Historikisht, skorbati shfaqej shpesh me probleme të mishrave.

5-Nervozizëm dhe irritim
Humori i keq dhe irritimi mund të jenë më të zakonshme nga sa mendohet. Vitamina C ndihmon rregullimin e kortizolit, hormonit të stresit, dhe nivelet e ulëta mund ta rrisin nervozizmin.

Ushqime të pasura me vitaminë C
Guava
Speca të kuq, të verdhë, të gjelbër
Luleshtrydhe
Kivi
Brokoli
Lakra e Brukselit
Agrume
Papaja
Patate
Qershi acerola
Trëndafil i egër, rose hips