
Ritmi i shpejtë i jetesës i ka tërhequr njerëzit thellë në një vorbull, ku zbrazëtia mendohet se përmbushet nga paraja. Koncepti se më shumë metra katrorë reflektohen në një lumturi më të madhe brenda shtëpisë është i gabuar.
Sot, qasja për të depërtuar në jetën e dikujt nëpërmjet platformave virtuale dhe përhapjes së shfrenuar të teknologjisë ngatërrohet me një realitet tjetër, atë të jetuarin, të prekshmin.
Duke aspiruar gjithçka që është e ekspozuar pë syrin, pa një filtër logjike dhe realizmi, ndonjëherë zhytesh edhe më thellë në këtë vorbull pangopësie. Në SHBA, përmasat e një shtëpie mesatare janë dyfishuar, por jo domosdoshmërisht lumturia e njerëzve që jetojnë në to.
Pas një ndjesie të përkohshme përmbushjeje, gjendja shpirtërore stabiliziohet dhe kthehet sërish aty ku ishte në fillim, e vakët. Ekonomistët thonë se njerëzit nuk ja dalin gjithmonë të kthejnë në prioritet atë që realisht i bën të lumtur.
Ky dështim nis pikërisht me organizimin e jetesës, duke lejuar që qeratë, kreditë, mirëmbajtja dhe shpenzimet të ndërhyjnë thelbësisht në kohën me njerëzit e dashur, hapësirën në punë e socializim. Ndaj, qetësia në shpirt brenda mureve të një shtëpie vlen më tepër se dukja jashtë saj.
