E hëna e tretë e muajit janar njihet prej vitesh si “E hëna blu” dhe shpesh cilësohet si dita më depresive e vitit. Por sa qëndron ky pretendim nga pikëpamja shkencore?
A është vërtet kjo dita më melankolike e vitit, apo thjesht një strategji marketingu?
Në të vërtetë, dihet shumë pak në aspektin shkencor për atë që quhet “dita më melankolike e vitit”. Gjithçka nisi në vitin 2005, kur kompania britanike e udhëtimeve Sky Travel e quajti të hënën e tretë të janarit “E hëna blu”, duke pretenduar se kjo ishte dita kur “niveli i lumturisë bie në pikën më të ulët të vitit”.
Sipas një artikulli të publikuar në Forbes, kompania bashkëpunoi me psikologun britanik Cliff Arnall për të krijuar një të ashtuquajtur “formulë të depresionit”, e cila doli në përfundimin, pa u konfirmuar shkencërisht, se e hëna e tretë e janarit është dita më e keqe për sa i përket mirëqenies emocionale. Megjithatë, kjo formulë nuk është vërtetuar kurrë shkencërisht dhe as nuk është shpjeguar qartë se si u arrit në këtë përfundim.
Kjo ndoshta sepse qëllimi kryesor i përcaktimit të “së hënës blu” ishte marketingu dhe jo shkenca apo shëndeti mendor. Sky Travel ishte një kompani udhëtimesh, jo një institut kërkimor shkencor.
Gjasat janë se, nëse i bind njerëzit se e hëna e tretë e janarit është dita më depresive e vitit, ata mund të ndihen të nxitur të planifikojnë një pushim pikërisht në atë periudhë..
Psikologia Dr. Magdalena Nowicka, nga Fakulteti i Psikologjisë në Universitetin SWPS në Varshavë, theksoi se termi “E hëna blu” vështirë se mund të konsiderohet shkencor. Sipas saj, procesi i përcaktimit të kësaj dite nuk ka respektuar elementët bazë të metodologjisë shkencore dhe nuk ekzistojnë studime serioze që konfirmojnë këtë fenomen.
Rreziqet e konceptit të “së hënës blu”
Të presësh që një ditë e caktuar të jetë domosdoshmërisht e keqe, pa ndonjë arsye reale, mund të krijojë probleme psikologjike. Pesimizmi për një ditë të caktuar mund të shndërrohet në një profeci vetëpërmbushëse, duke të bërë të ndihesh më i trishtuar dhe i demotivuar. Duke u tërhequr nga bota me idenë se dita do të jetë e keqe, rrezikon të mos vëresh mundësitë pozitive që mund të shfaqen.
Ky koncept krijon gjithashtu një ndjenjë të rreme sigurie, ndërkohë që jeta është e paparashikueshme, si në aspektin negativ, ashtu edhe në atë pozitiv. Askush nuk mund të parashikojë me siguri nëse një ditë do të jetë e mirë apo e keqe.
Për më tepër, ideja e “ditës më të keqe të vitit” mund të banalizojë dhe thjeshtojë gjendje serioze si depresioni dhe ankthi. Ajo krijon pritshmëri të rreme, si ideja se “të nesërmen duhet të ndihesh më mirë”, gjë që nuk përputhet me realitetin emocional të shumë njerëzve.
Shëndeti mendor nuk është një model që u përshtatet të gjithëve njësoj. Ai është kompleks dhe kërkon qasje individuale, vlerësim dhe trajtim sipas nevojave të secilit, jo etiketime të përgjithshme dhe masive.
