Stilisti i njohur italian i modës, Valentino Garavani, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur fondacioni i tij përmes një njoftimi në rrjetet sociale, të publikuar të hënën.
Fondazione Valentino Garavani dhe Giancarlo Giammetti njoftuan se themeluesi i tyre u shua në rezidencën e tij në Romë, i rrethuar nga familjarët dhe njerëzit e tij më të afërt. Homazhet do të mbahen të mërkurën, më 21 janar, dhe të enjten, më 22 janar. Ceremonia mortore do të zhvillohet të premten, më 23 janar, në Bazilikën Santa Maria degli Angeli e dei Martiri, në Piazza della Repubblica në Romë, në orën 11:00.

I njohur botërisht vetëm me emrin Valentino, ai ishte i adhuruar nga breza të tërë mbretërish, zonjash të para dhe yjesh të kinemasë. Nga Jackie Kennedy Onassis te Julia Roberts dhe Mbretëresha Rania e Jordanisë, shumë prej tyre kanë deklaruar se Valentino i bënte gjithmonë të ndiheshin dhe të dukeshin më së miri.
“E di çfarë duan gratë,” shprehej ai dikur. “Ato duan të jenë të bukura.”

Larg ekstravagancës së tepruar, Valentino u dallua për elegancën klasike, duke shmangur pothuajse çdo gabim stilistik gjatë një karriere gati 50-vjeçare. Rrugëtimi i tij profesional nisi në Romë në vitet ’60 dhe përfundoi në vitin 2008.
Falë krijimeve të tij të rafinuara, Valentino u shndërrua në mbretin e tapetit të kuq dhe zgjedhjen e parë të yjeve për ceremonitë më prestigjioze. Fustanet e tij madhështore kanë shkëlqyer në dhjetëra edicione të çmimeve Oscar, duke bërë që ai të linte pas gjurmë të pashlyeshme në botën e botës dhe jo vetëm.