
Brooklyn Peltz Beckham, djali i David dhe Victoria Beckham, ka dalë publikisht me një deklaratë në Instagram ku pranon për herë të parë se marrëdhënia me familjen e tij është në konflikt dhe se, të paktën për momentin, nuk e sheh veten drejt pajtimit.
Në mesazhin e tij, 26 vjeçari thotë se ka zgjedhur të heshtë për vite me radhë dhe ka bërë përpjekje që gjithçka të mbetej private, por pretendon se familja e tij dhe ekipi i saj kanë vazhduar të ushqejnë “narrativa” në media, duke e detyruar të flasë vetë. Ai shprehet se nuk dëshiron të pajtohet me familjen dhe se për herë të parë po “qëndron për veten”, duke mohuar idenë se kontrollohet nga bashkëshortja e tij, Nicola Peltz Beckham.
Deklarata prek drejtpërdrejt edhe raportin e tij me Nicolën, me Brooklyn që pretendon se prindërit kanë tentuar t’ia dëmtojnë marrëdhënien që para dasmës së vitit 2022. Mes akuzave, ai përmend një episod të minutës së fundit lidhur me veshjen e nusërisë, si edhe presion për çështje ligjore që lidhen me emrin e tij, përpara martesës. Ai shkon më tej duke thënë se, pasi nisi të vendoste kufij, ka përjetuar sulme private dhe publike, të cilat sipas tij kanë përfunduar edhe në shtyp.
Në rrëfim, Brooklyn përshkruan një realitet ku, sipas tij, “Brand Beckham” dhe imazhi publik kanë peshë më të madhe se marrëdhëniet e sinqerta familjare, duke shtuar se “dashuria familjare” matet me postime, dalje publike dhe foto të kuruara. Ai thotë se është rritur me ankth dhe se, që kur është distancuar nga familja, ai ankth është zbehur, ndërsa prioriteti i tij tani është paqja, privatësia dhe jeta që ka ndërtuar me bashkëshorten.
“Kam heshtur për vite me radhë dhe kam bërë çdo përpjekje që këto gjëra të mbeteshin private.
Fatkeqësisht, prindërit e mi dhe ekipi i tyre kanë vazhduar të shkojnë te media, duke mos më lënë zgjedhje tjetër veçse të flas vetë dhe të tregoj të vërtetën për të paktën disa nga gënjeshtrat që janë botuar.
Nuk dua të pajtohem me familjen time. Nuk po kontrollohem nga askush, thjesht po qëndroj për veten time për herë të parë në jetën time.
Gjatë gjithë jetës sime, prindërit e mi kanë kontrolluar mënyrën si është treguar historia e familjes sonë në shtyp. Postimet e kuruara në rrjete sociale, ngjarjet familjare dhe marrëdhëniet jo të sinqerta kanë qenë pjesë e pandashme e jetës ku kam lindur.
Kohët e fundit, i kam parë me sytë e mi deri ku mund të shkojnë, duke vendosur pafund gënjeshtra në media, shpesh në kurriz të njerëzve të pafajshëm, vetëm që të ruajnë fasadën e tyre. Por unë besoj se e vërteta gjithmonë del.
Prindërit e mi janë përpjekur pa pushim të ma prishin marrëdhënien, që para dasmës sime, dhe kjo nuk ka ndalur.
Nëna ime e anuloi në minutën e fundit realizimin e fustanit të Nicolës, në çastet e fundit, edhe pse Nicola ishte shumë e emocionuar ta vishte dizajnin e saj, duke e detyruar të gjente urgjentisht një fustan tjetër.
Disa javë para ditës sonë të madhe, prindërit e mi më bënë presion vazhdimisht dhe u përpoqën të më bindnin, madje edhe të më joshin, që të firmosja heqjen dorë nga të drejtat e emrit tim, gjë që do të ndikonte mua, bashkëshorten time dhe fëmijët tanë të ardhshëm.
Këmbëngulën që ta firmosja para datës së dasmës, sepse atëherë do të hynin në fuqi kushtet e marrëveshjes. Fakti që unë nuk pranova, ndikoi te përfitimet e tyre dhe prej asaj dite nuk më kanë trajtuar më njësoj.
Gjatë organizimit të dasmës, nëna ime shkoi deri aty sa më quajti ‘i lig’, sepse Nicola dhe unë zgjodhëm të kishim në tavolinën tonë Nanny Sandrën time dhe Nanny-n e Nicolës, sepse të dyja nuk i kishin burrat me vete. Ndërkohë, të dyja palët prindër kishin tavolinat e tyre pranë tonës.
Që nga momenti kur nisa të qëndroj për veten time në raport me familjen, kam marrë sulme të pandërprera nga prindërit e mi, si privatisht ashtu edhe publikisht, dhe këto janë dërguar në media me urdhër të tyre.
Edhe vëllezërit e mi u shtynë të më sulmonin në rrjete sociale, derisa më pas, krejt papritur, më bllokuan verën e kaluar.
Familja ime e vë gjithçka mbi promovimin publik dhe marrëveshjet e imazhit. ‘Brand Beckham’ vjen i pari. ‘Dashuria’ familjare vendoset nga sa poston në rrjete sociale, ose sa shpejt i lë të gjitha për të ardhur të pozosh në një foto familjare, edhe kur kjo bie ndesh me angazhimet tona profesionale.
Ideja se bashkëshortja ime më kontrollon është krejt e përmbysur. Unë jam kontrolluar nga prindërit e mi për pjesën më të madhe të jetës.
Jam rritur me një ankth të rëndë. Për herë të parë në jetën time, që kur jam larguar nga familja ime, ai ankth është zhdukur. Zgjohem çdo mëngjes mirënjohës për jetën që zgjodha dhe kam gjetur paqe e lehtësim.
Unë dhe bashkëshortja ime nuk duam një jetë të formësuar nga imazhi, shtypi apo manipulimi. Gjithçka që duam është paqe, privatësi dhe lumturi për ne dhe familjen tonë të ardhshme.”
