Einxhel Shkira ka ndarë në rrjetet sociale një nga periudhat më të vështira të jetës së saj.

Duke iu bashkuar trendit viral që rikthen nostalgjinë e një dekade më parë, moderatorja ka publikuar disa fotografi të vitit 2016, të shoqëruara me një rrëfim personal mbi sfidat emocionale dhe momentet e errëta që ka përjetuar në atë periudhë.

“Shumë pak e dinë, ose aspak, që viti 2016 ka qenë një vit kaotik për mua; një vit ku padrejtësia më përplaste në tokë si një pikë shiu në një ditë me erë. Ajo e di se era mund ta marrë e ta çojë shumë lart, ta shëtisë nëpër re, por, për dreq, shiu ka plane të tjera për të.”

Në postimin e saj, Einxhel rrëfen se ai vit ka qenë i mbushur me padrejtësi, dilema mes ëndrrave dhe realitetit, si edhe me ndjesinë e dorëzimit për herë të parë në jetë. Megjithatë, ajo thekson se, pavarësisht dhimbjes, ka arritur të ringrihet.
“Në dilemë mes ëndrrave, idealeve, parimeve dhe realitetit të rëndomtë, për herë të parë në jetë njoha dorëzimin. Por, të paktën brenda vetes, u dorëzova si një fitimtare e parimeve të mia, ndonëse në betejë humba ëndrrat.

E lënduar, por e bindur në forcën time që sërish mund të ndërtoja ëndrra të reja, larg atyre që gllabëronin ëndrrat… Në pritje të diellit që të thante shiun, për të lehtësuar peshën që më mbante të rrëmbyer nga toka, sërish… era”, shkruan ajo.

Nga ana tjetër, 10 vite më vonë, jeta e saj ka ndryshuar krejtësisht. Einxhel gjeti dashurinë në “Big Brother VIP Albania 1”, si fryt i së cilës kanë ardhur në jetë 2 djem, Trev dhe Kres.