
Brooklyn Beckham duket se ka mbërritur në pikën pa kthim në përplasjen e tij me prindërit e famshëm, David dhe Victoria Beckham.
Sipas Page Six, një burim i afërt me situatën thotë se “ka pasur një thyerje të madhe besimi” dhe se momenti i fundit që e çoi gjithçka drejt shpërthimit ka ndodhur “javën e kaluar”, vetëm pak ditë para se Brooklyn të publikonte deklaratën e fortë në rrjete sociale.
Nga perspektiva e Brooklyn dhe bashkëshortes së tij, Nicola Peltz, ata pretendojnë se kanë provuar gjithçka për ta riparuar marrëdhënien në mënyrë private: kanë tentuar biseda, takime dhe sqarime me David dhe Victoria, por në fund, sipas burimit, “thjesht nuk i besuan më”. Po i njëjti burim shton se çifti u lodh edhe nga lajmet e vazhdueshme që, sipas tyre, “nuk ishin të vërteta”, derisa arritën në një nivel frustrimi ku nuk donin më të vazhdonin kështu.
“U mjaftoi”, thotë burimi, duke e përshkruar gjithë situatën si një përshkallëzim që në muajt e fundit është kthyer në një “luftë pushteti mes dy familjeve të fuqishme”. Sipas tij, “java e kaluar ishte pika e fundit, thjesht nuk e përballuan më”.
Në deklaratën e tij, Brooklyn shkroi hapur se nuk dëshiron pajtim me familjen dhe se për herë të parë po qëndron për veten. Ai akuzoi prindërit se prej vitesh kanë kontrolluar mënyrën si është treguar historia e familjes në media dhe se kanë ndërtuar një imazh publik të kuruar, me postime dhe evente që, sipas tij, nuk kanë qenë të sinqerta.
Ai pretendoi gjithashtu se prindërit kanë tentuar “pa pushim” t’i prishin marrëdhënien me Nicolën që para dasmës, duke përfshirë edhe episode konkrete si anulimi në minutën e fundit i fustanit të nusërisë dhe presioni që ai të firmoste të drejtat e emrit të tij.
Një nga momentet më të komentuar në deklaratë ishte edhe pretendimi i Brooklyn se nëna e tij i “prishi” kërcimin e parë në dasmë dhe se ai është ndjerë “jashtëzakonisht në siklet dhe i poshtëruar”. Sipas artikullit, Brooklyn dhe Nicola madje rinovuan betimet në gusht 2025, për të krijuar kujtime të reja dhe për ta zbutur ngarkesën emocionale që, sipas tyre, u la nga dasma.
Ai hodhi poshtë edhe narrativën se Nicola e kontrollon, duke thënë se e kundërta është e vërtetë dhe se ai ka qenë i kontrolluar nga prindërit për pjesën më të madhe të jetës. Brooklyn tha se është rritur me ankth të fortë dhe se vetëm pasi u distancua nga familja, ka ndjerë qetësi.
Në fund, Page Six shkruan se përfaqësuesit e David dhe Victoria nuk kanë kthyer përgjigje për koment, ndërsa zërat për krizën mes tyre kanë qarkulluar që prej martesës së Brooklyn me Nicolën në vitin 2022. Raportohet po ashtu se Brooklyn u ka komunikuar se mënyra e vetme për të kontaktuar me të do të ishte përmes avokatëve, ndërkohë që burime të tjera pretendojnë se David dhe Victoria ende shpresojnë për një pajtim.
