
Për Valentinon, e kuqja nuk ka qenë kurrë një flirt kalimtar. Ka qenë një premtim stili që lindi shumë vite më parë, thuajse rastësisht. Ende 17 vjeç, ai ndodhej në Operën e Barcelonës kur, mes turmës, sytë iu ndalën te një zonjë e moshuar e mbështjellë me një fustan kadifeje në ngjyrën e pasionit. Ishte një pamje që e goditi si rrufe.
Mes gjithë ngjyrave që mbanin gratë e tjera, ajo m’u duk e vetme, e veçuar në shkëlqimin e saj. Nuk e harrova kurrë, do të rrëfente Valentino vite më vonë. Mendoj se një grua e veshur me të kuqe është gjithmonë e mrekullueshme, është imazhi perfekt i heroinës.
I mahnitur nga fuqia e asaj nuance dhe nga magnetizmi i asaj figure, brenda tij nisi të formohej diçka më shumë se një pëlqim. Një ide absolute e bukurisë, hirit dhe elegancës. Dhe ajo ide nuk vonoi të marrë formë.
Pa hezitim dhe kundër çdo parashikimi të modës së kohës, në vitin 1959 Valentino debuton në Firence me koleksionin Fiesta. Në pasarelë, mes penelatave të sigurta bardh e zi, shfaqet një fustan i shkurtër me tyl të kuq. Ishte emblemë dhe njëkohësisht mishërim i asaj vizioni të hershëm. Aty lindi gruaja Valentino. Që nga ajo ditë, e kuqja u bë mbretëresha e çdo koleksioni të tij, shenja dalluese e krijimtarisë dhe pasqyrë e një estetike që nuk kapet me shikimin e parë. Pak a shumë si vetë e kuqja e tij, që për stilistin u kthye njëkohësisht në bekim dhe në “tërheqje të dhimbshme”.
Po çfarë e kuqe është, në fakt, e kuqja Valentino
Nuk është qershi, nuk është kremizi, nuk është karmin, as një përzierje e tyre. Është e fuqishme, por e hijshme. Është e ftohtë, por jo aq sa të bëhet e ashpër. Ka nën tone të ngrohta, por pa rrëshqitur drejt portokallisë. Brenda saj ka disiplinën e klasicizmit dhe forcën e mitit. Një tension kromatik pothuajse i pafund. Një kërkim që në Maison është dokumentuar edhe me një detaj domethënës: në arkiva ekzistojnë rreth 550 nuanca të së kuqes.
E pakapshme, e pastër, e paarritshme për t’u kopjuar, me kalimin e viteve e kuqja Valentino ka “vallëzuar” në pasarelat e shtëpisë duke iu përshtatur çdo pëlhure, çdo prerjeje, çdo siluete që couturier-i vendoste të propozojë. Është një e kuqe që duket sikur është bërë për të gjitha dhe për çdo grua që, me këtë ngjyrë, ndihet si perëndeshë. Nga pasarela te garderobat e grave ikonë, rruga ishte e shkurtër: të kuqet Valentino pushtuan ndër vite celebrity, figura mbretërore, gra të skenës publike. Dhe mbi të gjitha, Jackie Kennedy, një nga besniket më të famshme të firmës së stilistit nga Voghera.
Por në paletën legjendare të “perandorit të modës” nuk ka qenë vetëm e kuqja. Një vend të veçantë e ka edhe e bardha. Nëse e kuqja u shndërrua në dashuri të përjetshme, e bardha, me gjithë fuqinë e saj, shënoi një moment revolte, trazimi dhe, ndoshta, ngjitjeje përfundimtare në Olimpin e couture.
Ishte viti 1968 kur Valentino sjell në skenë një koleksion tërësisht të bardhë. Një provokim i vërtetë në epokën e stampimeve optike dhe ngjyrave që “bërtasin”. Një shfaqje që fliste gjuhën e pastërtisë në një kohë revoltesh dhe që, pikërisht për shkak të esencialitetit të saj të virgjër, u duk aq provokuese sa krijoi zhurmë, energji dhe vlerësim të menjëhershëm. Porosia pas porosie e vulosi suksesin e jashtëzakonshëm të asaj sfide kreative.
E pastaj erdhi një moment që e ktheu të bardhën në simbol. Martesa e Jackie Kennedy me Aristotele Onassis, ku ajo zgjodhi pikërisht një krijim të bardhë të Valentino-s. Thuhet se modeli i kërkuar nga nusja, i njohur si numri 202, u porosit me qindra herë, u kopjua, u ripunua, u imitua deri në lodhje. Ai set i bardhë, me bluzë me jakë të lartë elegante, detaje dantelle dhe fund me pala, u bë pa dashje një shenjë e një ngjitjeje, duke lavdëruar paradoksalisht “mbretin e së kuqes”.
Dhe në fund, logjika e ngjyrave te Valentino duket si një duet i pandarë. E kuqja të trazon pas së bardhës, sikur njëra i shërben tjetrës për të ndezur emocione. Të paprekshme, kontrastuese, të dëshiruara. Ashtu si vetë Rosso Valentino, i pakapshëm, prandaj legjendar dhe gjithmonë i kërkuar.
