
Venecia është një nga qytetet më unike të botës, e njohur për kanalet e famshme që përshkojnë ndërtesat e vjetra dhe urat historike, nga ku shkrepen fotot më romantike.
E ndodhur në verilindje të Italisë, Venecia është djepi i një trashëgimie shumëvjeçare, e cila reflektohet në arkitekturë, art dhe tradita që kanë mbetur pothuajse të paprekura prej vitesh.
Lëvizja në Venecia realizohet kryesisht me varka dhe gondola karakteristike veneciane, të cilat e veçojnë nga çdo qytet i botës. Zemra e qytetit është “Piazza San Marco”, sheshi ku njerëzit mblidhen për të shijuar një kafe cilësiore italiane e për të ushqyer pëllumbat.
Disa nga pikat kryesore të interesit përfshijnë “St. Mark’s Basilica”, një ikonë e artit bizantin, “Doge’s Palace”, simboli i pushtetit të hershëm venecian, dhe “Rialto Bridge”, një nga urat më të vjetra.
Venecia nuk është e famshme vetëm për karnavalet me maskat tradicionale apo Murano-n, por edhe për festivalin e filmit, kafenetë historike, kuzhinën italiane dhe kombinimin e arkitekturës gotike, bizantine e rilindase.
