Saga mes Brooklyn Beckham dhe prindërve të tij, David e Victoria Beckham, po merr çdo ditë një kthesë të re dhe këtë herë, vjen nga një emër që dikur ka qenë shumë pranë Nicolës, në prapaskenat e tapetit të kuq.

Justin Anderson, ish-parukieri i Nicola Peltz, ka dalë publikisht duke mbështetur familjen Beckham dhe duke hedhur akuza të rënda ndaj aktores. Në një koment në Instagram, ai e quajti Nicolën “një nga të famshmet më të këqija me të cilat kam punuar”, duke e etiketuar si një “bad apple”, pra si “mollë e kalbur” në këtë histori.

Por Anderson nuk u mjaftua me kaq. Më vonë, ai e thelloi tonin edhe më shumë në “Instagram Stories”, ku tha se ishte “alarmuar” kur pa lajmin e martesës së Brooklyn me Nicolën, duke nënkuptuar se kjo do të sillte probleme për familjen. Madje e përshkroi energjinë si “e frikshme” dhe shtoi se nuk i vjen keq që e thotë, sepse sipas tij kur dikush nuk sillet mirë, kjo del herët a vonë në pah.

Këto deklarata vijnë në një moment kur konflikti familjar është ndezur maksimalisht pas reagimit publik të Brooklyn, i cili i ka akuzuar prindërit për kontroll, për “ndërtim narrativesh” dhe për ndërhyrje në marrëdhënien e tij me bashkëshorten. Ai ka rikthyer në vëmendje edhe episodet e shumëpërfolura të dasmës së vitit 2022, duke përfshirë pretendimin se në një moment kyç të mbrëmjes, situata u kthye në një përjetim të pakëndshëm për të.

Ndërkohë, si çdo dramë e madhe showbiz-i, edhe kjo po kthehet në “kamp” mbështetjesh. Pas deklaratës së Brooklyn, figura të ndryshme që kanë pasur lidhje me familjen kanë nisur të shfaqin hapur pozicionin e tyre disa pro tij, disa pro prindërve, disa kundër Nicolës. Dhe komenti i ish-parukierit është ndër më të zhurmshmit deri tani, sepse vjen nga dikush që pretendon se e njeh nga afër dhe jo nga titujt e mediave.