
Rihanna e ka një mënyrë të vetën për ta bërë dimrin të duket si pasarelë edhe kur New York-u është i akullt dhe era s’të lë të marrësh frymë. Këngëtarja u pa në rrugët e qytetit e mbështjellë nga koka te këmbët me motive tigri, duke zgjedhur një total look Alaïa që shkon afërsisht në 9 mijë dollarë.
Në qendër të vëmendjes ishte palltoja e trashë prej leshi me print tiger, që vetëm Rihanna di ta veshë pa e tepruar. Ajo e kombinoi me këpucë me rrip te kyçi, po në të njëjtin print, duke e bërë “matching” deri në detaj një lëvizje që ose ta prish, ose ta ngre në nivel ikonik… dhe te Rihanna zakonisht ndodh e dyta.
I gjithë look-u ishte glam, i ftohtë, i mprehtë: syze të errëta, buzëkuq i kuq, dhe dy varëse të shkurtra në qafë një në stil tubogas në ar dhe një tjetër si “tenis” me diamantë detaje që i japin veshjes atë efektin “luxury, pa u lodhur”.
Rihanna ka qenë shumë e pranishme këto ditë në New York, si për të festuar partnerin e saj A$AP Rocky në eventin e albumit të ri, ashtu edhe për t’u shfaqur në afterparty-n e “Saturday Night Live”. Dhe këpucët me print tiger s’kanë qenë “one-night thing”: një ditë më parë i kishte veshur sërish, këtë herë me një “Canadian tuxedo” klasik xhins mbi xhins duke treguar se i rikthen elementët e fortë në stil në mënyrë të zgjuar, jo thjesht për foto.
