
Fjalët e David Beckham erdhën vetëm pak orë pasi djali i tij, Brooklyn, publikoi një deklaratë të fortë në rrjetet sociale. Pa e përmendur asnjëherë me emër, ish-futbollisti i njohur duket se dha një përgjigje të tërthortë, duke folur për prindërimin, përgjegjësinë dhe gabimet si pjesë e rritjes.
Në momentin kur përplasja brenda familjes Beckham u bë publike, David Beckham zgjodhi të mos hyjë drejtpërdrejt në konflikt. Ai u shfaq në një intervistë në CNBC, në programin “Squawk Box”, ku tema kryesore ishte roli i rrjeteve sociale dhe ndikimi i tyre sidomos te të rinjtë si edhe mënyra se si ai ka tentuar t’i edukojë fëmijët e tij për t’i përdorur me kujdes.
Duke folur për fuqinë e rrjeteve sociale, Beckham theksoi se ato kanë ndikim “si për mirë, ashtu edhe për keq”, ndërsa vuri në dukje se ajo që të rinjtë mund të aksesojnë sot mund të jetë edhe e rrezikshme. Sipas tij, çelësi është përdorimi “për arsyet e duhura”, jo si mjet presioni apo ekspozimi i panevojshëm.
Ai solli si shembull mënyrën se si e ka përdorur vetë ekspozimin publik për kauza humanitare, veçanërisht në angazhimin e tij me UNICEF-in, duke thënë se platforma e tij i ka shërbyer për të tërhequr vëmendje te fëmijët dhe problemet e tyre në botë. Në të njëjtën frymë, ai tha se ka tentuar t’ua përcjellë këtë qasje edhe fëmijëve të tij, si një formë edukimi dhe përgjegjësie.
Por pjesa që u komentua më së shumti nga publiku erdhi menjëherë pas kësaj, kur Beckham foli për gabimet: “Fëmijët bëjnë gabime dhe u lejohet të gabojnë. Kështu mësojnë. Këtë përpiqem t’ua mësoj fëmijëve të mi: ndonjëherë duhet t’i lësh t’i bëjnë ato gabime.” Shumë e lexuan këtë si një mesazh të fshehtë që lidhet me situatën me Brooklyn, pa u thënë kurrë troç.
Pak orë më herët, Brooklyn Beckham kishte publikuar një deklaratë të gjatë ku shprehej se kishte qëndruar në heshtje për vite dhe kishte tentuar t’i mbante çështjet familjare private, por se sipas tij komunikimi me mediat kishte vazhduar, duke e lënë “pa zgjedhje” veçse të fliste vetë. Në deklaratën e tij, 26-vjeçari u shpreh prerë se nuk dëshiron pajtim me familjen, ndërsa ngriti akuza për kontroll, manipulim dhe ndërhyrje në jetën e tij personale. Ai sugjeroi gjithashtu se “brand-i Beckham” është vendosur mbi gjithçka dhe se marrëdhënia e tij me Nicola Peltz është përballur me pengesa, madje që para martesës së tyre në prill 2022.
Nga ana tjetër, David Beckham vijoi të shmangë çdo përgjigje direkte. Kur u pyet në intervistë për ekspozimin e vazhdueshëm mediatik dhe nëse për mirëqenien mendore e ka më të lehtë të jetojë në Mbretërinë e Bashkuar apo në SHBA, ai u përgjigj me kujdes, duke thënë se duhet të mbetet neutral dhe se i pëlqejnë të dyja vendet: e do vendin ku është rritur, por gjithashtu e do Amerikën dhe ndihet me fat që mund të kalojë kohë në të dyja.
Sipas raportimeve, edhe në një tjetër rast publik në Davos, gjatë Forumit Ekonomik Botëror, Beckham zgjodhi sërish heshtjen: kur një gazetar e pyeti nëse kishte “një mesazh për Brooklyn”, ai u largua pa komentuar. Edhe pyetjes nëse e zhgënjen fakti që çështje familjare po bëhen publike, ai nuk iu përgjigj.
Në thelb, ndërsa Brooklyn foli hapur dhe pa filtra, David Beckham duket se po e mban vijën e tij: fjalë të përgjithshme, ton i matur, asnjë konfrontim publik por me fraza që, për shumëkënd, thonë më shumë sesa duken.
