
Chiara Ferragni po rikthehet në skenë me një lëvizje simbolike dhe të menduar mirë: një bashkëpunim me Guess, që shënon edhe fushatën e saj të parë të madhe pas arkivimit të çështjes së njohur si “pandoro-gate”. Influencerja dhe sipërmarrësja digjitale e ka quajtur këtë një fillim të ri, duke e prezantuar vetë në Instagram si një hap drejt një faze tjetër, më të qartë dhe më të vendosur.
“Po e nis këtë kapitull të ri me një lajm të madh: jam fytyra e re e Guess për fushatën e Pranverës 2026”, shkruan ajo, ndërsa falënderon edhe Paul Marciano, bashkëthemelues dhe drejtues kreativ i Guess, i cili e përshkruan Ferragnin si mishërim të energjisë, vetëbesimit dhe qëndrimit që përputhet natyrshëm me frymën e markës.
Sipas tij, Chiara përfaqëson një grua që beson tek vetja dhe ecën përpara me vendosmëri, një ide që, siç thotë ai, reflektohet edhe në koleksionin Pranverë-Verë 2026: modern, i adaptueshëm dhe me shumë personalitet.

Bashkëpunimi nuk është thjesht një fushatë mode, por një narrativë e qartë që Guess po kërkon të ndërtojë: fuqizimi i grave që e krijojnë vetë rrugën e tyre me siguri, vizion dhe qëndrueshmëri. Në këtë kuptim, Ferragni shihet si një lidhje mes imazhit ikonik të Guess dhe spontanitetit të komunikimit social të viteve të fundit.
Fotot e fushatës mbajnë firmën vizuale të Morelli Brothers dhe ndërtohen si një dialog i rafinuar mes së shkuarës dhe së tashmes: kontraste bardh e zi që alternohen me tone të forta, duke sjellë në mendje atmosferën e fushatave legjendare të Guess, por të rilexuara me një sy më bashkëkohor. Rezultati është një seri portretesh ku Chiara shfaqet e shumëanshme: e çlirët, e sigurt, por pa e humbur atë ftohtësinë “cool” që e ka bërë të njohur.
Koleksioni i ri synon të riinterpretojë ëndrrën amerikane përmes një estetike më të freskët dhe të orientuar drejt së ardhmes. Elementët klasikë të Guess vijnë me një dozë tjetër sigurie dhe guximi, të frymëzuar nga shpirti i “cowboy”-t tekzan dhe nga romantika e hapësirave të pafundme, por të përkthyera si histori feminiliteti, pavarësie dhe shprehjeje personale.
Mes copëzave që spikasin përmendet rikthimi i Bellflower Pants dhe fustani ikonik bandage, ndërsa silueta të reja, një rrobaqepësi më e zhvilluar dhe “denim statement” vazhdojnë evolucionin e brandit, nga rrënjët West Coast deri te dinamika e pasarelave moderne.

Në qendër të koleksionit vihet në pah edhe Camden Bag, një çantë me siluetë të skalitur, tekstura luksoze dhe detaje të rafinuara, që e bëjnë të duket moderne, por edhe “e qëndrueshme në kohë”. Sipas Ferragnit, është kombinimi ideal mes karakterit, elegancës dhe prakticitetit të përditshëm, një aksesor që mund të shoqërojë po aq lehtë denim-in, sa edhe një veshje të qepur apo një look mbrëmjeje.
