Gara për Bond-in po nxehet, ndërsa pritet që së shpejti të dalin lajme zyrtare për kastin. Një raport i ri thotë se “i preferuari i internetit” këto ditë, Jacob Elordi, është takuar dhe ka bërë screen-test me regjisorin e Bond 26, Denis Villeneuve.
Një ditë tjetër, një tjetër thashethem për kastin e James Bond.

Identiteti i 007-ës së shtatë (nëse nuk llogarisim interpretimin e David Niven në parodinë “Casino Royale” të vitit 1967) mbetet një nga sekretet më të ruajtura të Hollivudit dhe ende nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar.

Emra si Aaron Taylor-Johnson, Tom Holland, Harris Dickinson dhe Scott Rose-Marsh janë përfolur si kandidatë për superspiunin e radhës, ndërsa raportime të fundit sugjeronin se Callum Turner ishte zgjedhur tashmë si Bond.

Tani, një tjetër raport i konsideruar i besueshëm thotë se “zemërthyerësi” aktual i internetit, Jacob Elordi, ka audicionuar përpara regjisorit të Bond 26, Denis Villeneuve.

Ylli australian 28-vjeçar i “Euphoria”, “Priscilla” të Sofia Coppola-s dhe “Frankenstein” të Guillermo del Toro-s, thuhet se është aktualisht favorit për të veshur smokinin.

Nuk është edhe aq surprizë: Elordi ishte përmendur më herët në shortlist-in e Amazon për Bond, dhe karriera e tij po ngjitet me shpejtësi – sidomos pas nominimit për Oscar për rolin e krijesës së Frankenstein-it dhe fitores në Critics Choice Award për Aktorin më të Mirë Dytësor për të njëjtin rol.

Nëse e merr rolin e shumëkërkuar, Elordi do të bëhej:

-aktori i dytë australian që luan Bond-in (pas George Lazenby në “On Her Majesty’s Secret Service”),
-007 më i gjatë deri tani (aktori është 6’5’’ / 1.96 m),
-dhe Bond-i më i ri ndonjëherë gjë që përputhet me raportimet e mëparshme se Amazon kërkon një aktor më të ri për të rindezur franchisën, pas lamtumirës së Daniel Craig në “No Time To Die”.
Si gjithmonë, derisa të vijë njoftimi zyrtar, bastet mbeten të hapura dhe priten edhe më shumë spekulime pa fund. Thuhet se vendimi final mund të merret në mes të vitit 2026.

Ndërkohë, Jacob Elordi do të shfaqet në kinematë e mëdha muajin e ardhshëm në “Wuthering Heights” të Emerald Fennell, një adaptim i romanit klasik të Emily Brontë, i shumëpritur por që ka ndezur edhe polemika. Pra, ka shumë gjasa të dëgjojmë edhe më tepër për Elordi-n në muajt në vijim.

Bond 26 do të drejtohet nga Denis Villeneuve dhe po shkruhet nga Steven Knight, krijuesi i “Peaky Blinders”. Prodhimi pritet të nisë në 2027, ndërsa premiera planifikohet për 2028. Ky do të jetë filmi i parë i Bond-it pasi Amazon mori kontrollin e plotë kreativ të franchisës, me producentët historikë Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson që po tërhiqen nga rolet e tyre.