
Po flitet gjithnjë e më shumë për “no contact” me prindërit, pra për një shkëputje të plotë nga familja kur marrëdhëniet janë të dëmshme për shëndetin mendor. Dhe, ndonëse tingëllon si një zgjedhje e fortë, për shumë njerëz nuk është modë, as kapriço, por fundi i një rruge të gjatë ku është provuar çdo gjë tjetër.
Rasti i Brooklyn Beckham, i cili sipas raportimeve nuk dëshiron më të ketë kontakte me prindërit e tij Victoria dhe David, e ka rikthyer këtë temë në qendër të vëmendjes. Por pyetja e vërtetë nuk është vetëm “pse e bëri”, por si arrin një njeri në një pikë ku distanca bëhet e vetmja mënyrë për të mbijetuar emocionalisht.
Në kulturat ku familja shihet si “e shenjtë” dhe e paprekshme, rritesh me idenë se duhet të durosh, të falësh, të heshtësh. Madje edhe urdhëresat morale e fetare e ngulin këtë bindje thellë: “Ndero babanë dhe nënën”. Por, siç pyet me të drejtë psikologia dhe psikoterapistja Samantha Vitali, pse nuk thuhet me të njëjtin ton edhe “ndero fëmijën”, emocionet e tij, kufijtë e tij, dhimbjen e tij?
Pse flitet më shumë sot për “no contact” sesa dikur?
Sepse shëndeti mendor ka dalë nga hija. Sot njerëzit e vendosin mirëqenien personale mbi detyrimet kulturore që dikur shiheshin si të panegociueshme. Rrjetet sociale kanë luajtur rol të madh në normalizimin e temave që më parë konsideroheshin tabu: trauma, marrëdhënie toksike, narcisizëm familjar, kufij emocionalë. Për shumëkënd, të flasësh online është më e lehtë, sepse ekziston ajo “distancë” që të jep guximin të thuash të vërteta që nuk i ke thënë kurrë me zë të lartë.
Dhe kur sheh histori të ngjashme, kupton se nuk je “i çuditshëm”, as “i pabesë”, as “i keq”. Je dikush që po përpiqet të shërohet.
Si arrin një njeri deri te vendimi për t’u shkëputur?
Jo gjithmonë vjen si impuls. Shpesh është rezultat i një procesi, ndonjëherë terapie, ndonjëherë reflektimi të gjatë. Sipas Vitali-t, një hap kyç është krijimi i një “vetjeje vëzhguese”, pra aftësia për t’i parë dinamikat familjare nga jashtë, pa mjegullën e fajit, frikës apo zakonit. Kur fillon t’i shohësh gjërat qartë, fillon të pyesësh veten: “Po unë ku jam në këtë marrëdhënie? Çfarë më bën mua mirë? Çfarë më thyen?”
Vendimi vjen kur pranon se je brenda një dinamike jofunksionale dhe se mirëqenia jote mendore nuk mund të jetë gjithmonë çmimi që paguan për “paqe familjare”.
Shenja tipike të një familjeje jofunksionale
Nuk ka një model të vetëm, por disa dinamika përsëriten shpesh:
-Mohimi ose minimizimi i dhimbjes së fëmijës
-Mungesë përgjegjësie nga prindi, pa “më fal”, pa “të kuptoj”
-Kontroll dhe ndërhyrje, shpesh i veshur me frazën “e bëj për të mirën tënde”
-Shantazh emocional: “pas gjithë atyre që bëra për ty…”
-Polarizim: ose je me mua, ose je kundër meje
-Vazhdimësi e sjelljeve që të zhvlerësojnë
-Mungesë riparimi pas konfliktit
-Shkelje kufijsh, private, emocionale, personale
-Mos përputhje mes nevojave emocionale të fëmijës dhe reagimit prindëror
Këto situata, edhe kur nuk duken “tragjike” në një moment të vetëm, mund të krijojnë mikro-trauma. Ato përsëriten, bëhen rutinë, gërryejnë vetëvlerësimin, të mbajnë në gjendje alarmi dhe, me kalimin e kohës, të bindin se je “ashtu siç të përshkruajnë”.
Shpesh fillon me përpjekjen për t’u kuptuar
Shumë njerëz, kur bëhen të vetëdijshëm, provojnë ta hapin bisedën me familjen. Tregojnë plagët, kërkojnë të dëgjohen, të pranohet dhimbja e tyre. Por jo rrallë, përgjigjja është e njëjta: mohim, tallje, relativizim, ose kthim i fajit te fëmija. Dhe atëherë vjen çasti kur kupton se po kërkon ngrohtësi në një vend që të jep vetëm të ftohtë. Distanca bëhet një mënyrë për të vënë veten në vend të parë.
“No contact” nuk është e vetmja rrugë, por mund të jetë një rrugë
Shkëputja totale është zgjedhja më ekstreme. Ka edhe zgjidhje të ndërmjetme, si kufij të qartë dhe kontakte të reduktuara, por kjo funksionon vetëm kur ka minimumin e mirëkuptimit dhe respektit. Ndonjëherë mund të vendosësh rregulla: të takohesh vetëm në festa, të flasësh vetëm në momente të caktuara, të ruash distancë emocionale. Por kur çdo “përpjekje” të kthen prapë në të njëjtin dëm, “no contact” shfaqet si e vetmja mënyrë për të mos u copëtuar.
Pse është kaq e vështirë të mbyllësh derën e familjes?
Sepse është kundër instinktit. Askush nuk rritet me dëshirën për t’u shkëputur nga prindërit. Narrativa “je mosmirënjohës” është një thikë e dytë mbi plagë. Kur një fëmijë largohet, zakonisht është sepse ka arritur në fund të mundësive. Ai nuk po zgjedh rehatinë, po zgjedh cilën dhimbje mund të përballojë: dhimbjen e vazhdimit në një marrëdhënie toksike, apo dhimbjen e distancës. Të dyja dhembin, por njëra të shkatërron çdo ditë.
Si përballohet faji?
Faji është shoqërues i zakonshëm i kësaj zgjedhjeje. Por ndihmon të rikthehesh te arsyeja: nëse ke marrë një vendim kaq të rëndë, kaq të mundimshëm, e ke marrë sepse nuk ishe mirë dhe sepse rrugët e tjera nuk funksionuan. Faji nuk e fshin dhimbjen, vetëm e shton. Ndërsa vetëdija ta kthen vendimin në diçka të kuptueshme: jo një “braktisje”, por një përpjekje për të shpëtuar veten.
Kur gjykimi i të tjerëve bëhet traumë e dytë
Rasti i një figure publike si Brooklyn Beckham e tregon qartë: sapo e bën publike dhimbjen, ekspozohesh ndaj komentit, dyshimit, moralizimit. “Janë prindërit e tu”, “të kanë dhënë gjithçka”, “po gënjen”, “po bën viktimën”. Kjo është një lloj traumatizimi dytësor: jo vetëm nuk je kuptuar brenda dinamikës, por duhet të bindësh edhe botën jashtë saj. Dhe kjo lodh, cenon, të lë sërish pa validim.
Në fund, nuk është detyra jote të bindësh askënd për atë që ke përjetuar. As të justifikosh kufijtë e tu. Kur njeriu vendos të largohet nga familja, rrallë e bën “lehtë”. E bën sepse, për një herë, po zgjedh të mos e humbasë veten.
