
Në zemër të Beverly Hills Hotel, i fshehur pas palmave ikonike, ndodhet Polo Lounge – një nga ambientet më legjendare dhe më diskrete të Los Angeles. Ky nuk është thjesht një bar apo restorant luksoz, por një strehë ku fama dhe privatësia bashkëjetojnë në mënyrë perfekte.
Polo Lounge është vendi ku Rihanna dhe Beyoncé thuhet se pinë koktejet e tyre larg kamerave, në një atmosferë ku askush nuk të vështron dhe gjithçka ndodh me një qetësi të sofistikuar. Ekspozimi këtu është i panevojshëm, sepse statusi nënkuptohet.
Që nga vitet ’40, Polo Lounge ka qenë pikëtakimi i ikonave të kinemasë, muzikës dhe modës. Marilyn Monroe, Frank Sinatra, Elizabeth Taylor – të gjithë kanë kaluar nga këto divane jeshile, që sot janë po aq simbolike sa vetë hoteli. Rihanna dhe Beyoncé janë thjesht vazhdimi modern i kësaj trashëgimie.
Interier klasik me një frymë elegante dhe intime, por jo të ftohtë: divane të ulëta, dritë e butë, shërbim i rafinuar dhe një ndjesi sigurie që e bën vendin ideal për figura publike që kërkojnë anonimitet me klas. Polo Lounge nuk është “trendy” në kuptimin kalimtar. Është “timeless”.
Ky bar nuk ka nevojë të bërtasë për luksin e tij, pikërisht kjo e bën magnet për emra si Rihanna dhe Beyoncé, që zgjedhin cilësinë dhe qetësinë mbi “spektaklin”. Polo Lounge mbetet një nga ato adresa të rralla ku Los Angeles vazhdon të tregoj anën e tij më elegante.
