Një tjetër situatë e tensionuar ka tronditur shtëpinë e “Big Brother VIP Albania 5”, duke sjellë edhe një vendim të pazakontë nga Vëllai i Madh: anulimin e televotimit dhe mbërritjen e dy zarfeve të zinj. Sipas njoftimit zyrtar, televotimi u ndërpre për 10 banorët në nominim, ndërsa masat që lidhen me zarfet pritet të zbulohen gjatë spektaklit të mbrëmjes.  

Në listën e banorëve që ishin në televotim përfshihen: Angelo, Artani, Keijsi, Juela, Greta, Krusita, Rogerti, Mali, Miri dhe Mateo.  

Pak pas këtij vendimi, familja e Rogertit ka reaguar publikisht, duke pranuar se debati mes Rogertit dhe Malit ka kaluar në tone të ashpra, me ofendime nga të dyja palët, dhe duke e lidhur përshkallëzimin e situatës me presionin psikologjik të lojës.  

Në deklaratë, familjarët theksojnë se e respektojnë vendimmarrjen e produksionit, por kërkojnë që situata të vlerësohet “nga të gjitha këndvështrimet”, pa gjykim emocional dhe me objektivitet.  

“Respektojmë çdo vendim të produksionit, por kërkojmë drejtësi dhe balancë në gjykim”, përfundon reagimi i tyre, duke nënvizuar se Rogerti si çdo banor është i ekspozuar ndaj një presioni të jashtëzakonshëm brenda formatit.