
Jennifer Lawrence ka hedhur në qendër të vëmendjes një temë që Hollywood-i e njeh shumë mirë, por që shpesh fshihet pas buzëqeshjeve në tapetin e kuq: sa shpesh pamja e jashtme kthehet në “biletë hyrjeje” për një rol.
Aktorja e “Hunger Games” tregoi në podcastin “Happy Sad Confused” me Josh Horowitz se, sipas saj, mund ta ketë humbur rolin e Sharon Tate në “Once Upon a Time in… Hollywood” sepse “nuk ishte mjaftueshëm e bukur”. Ajo e pranon se kjo histori është përsëritur aq shumë sa mund të ketë marrë formën e një “të vërtete” kolektive, por fakti që tingëllon menjëherë e besueshme është pikërisht ajo që e bën të frikshme.
Në atë film, roli i Sharon Tate përfundoi te Margot Robbie. Sipas rrëfimit, ndikim në këtë zgjedhje mund të ketë pasur edhe opinioni publik në internet, por edhe një koment i Debra Tate, motra e Sharon, e cila në të kaluarën shprehej se preferonte Robbie-n për ta interpretuar të motrën, duke e lidhur zgjedhjen me “bukurinë fizike” dhe mënyrën si lëvizte, të ngjashme me Sharon-in. Për Jennifer Lawrence, u tha hapur se “nuk ishte mjaft e bukur” për një figurë ikonike të viteve ’60.
Dhe ja ku nis pikëpyetja e vërtetë: çfarë do të thotë “jo mjaft e bukur”, sidomos në një art ku interpretimi supozohet të jetë mbi gjithçka? Sepse nëse kinemaja reduktohet në një konkurs ngjashmërie, atëherë aktori nuk po kërkohet të luajë, por të kopjojë. Roli shndërrohet në një fotografi që duhet riprodhuar, jo në një personazh që duhet ndërtuar.
Në këtë histori, ndaleni te një mekanizëm i njohur në psikologjinë njohëse: efekti “halo”, ku një cilësi e vetme, si bukuria, e mbulon gjithë gjykimin për një njeri. Nuk pyetet më “a mund ta luajë?”, por “a e meriton ta provojë?”. Bukuria kthehet nga një element i mundshëm i rolit në kusht hyrjeje për të.
Pastaj vjen edhe një tjetër kurth: sapo vendoset standardi i bukurisë “së duhur”, gjithçka tjetër fillon të përshtatet me të. Ky është “confirmation bias”, prirja për të kërkuar prova që na e konfirmojnë mendimin e parë. Nëse Sharon Tate është fiksuar në mendjen e publikut si një imazh i caktuar, çdo fytyrë që nuk përputhet me atë “fotografi” do të duket automatikisht e papërshtatshme, pavarësisht aftësisë për ta sjellë në jetë personazhin.
Një tjetër shtresë e rëndësishme është ajo e gjykimit publik. Kur një mendim për pamjen vjen nga figura me ndikim si producentë, regjisorë, media apo edhe nga një turmë online, ai nuk mbetet më thjesht preferencë personale, por shndërrohet në “kriter”, si të ishte rregull. Dhe kështu, gjykimi estetik fillon të ndërtojë identitete, karriera dhe “vlera” në skenën e spektaklit, shpesh në dëm të talentit.
