Në zemër të lagjes historike Sultanahmet të Stambollit, një nga qytetet më magjepsëse të botës, “Four Seasons Hotel Istanbul at Sultanahmet” është shembulli i rrallë ku e kaluara dhe e tashmja bashkohen në një përvojë luksi, që rrjedh nga çfarë dikur ka qenë dhimbje.

Intim dhe elegant, i vendosur vetëm disa hapa larg pikave ikonike si “Hagia Sophia” dhe “Blu Mosque”, ky hotel jo vetëm që ofron qetësinë në mes të gjallërisë së qytetit, por ndryshe nga shumica e hoteleve luksoze, objekti nuk është ndërtuar rishtas – ai është transformuar nga një ndërtesë historike.

Disa dekada më parë, Four Seasons at Sultanahmet, funksiononte si burg i Stambollit, i ndërtuar midis viteve 1918–1919 në stilin neoklasik turk. Në kohën e Perandorisë Osmane, ky burg shërbente si institucioni kryesor i paraburgimit në kryeqytet, duke strehuar njerëz që prisnin gjykim apo ekzekutimin e dënimeve të shkurtra, përfshirë edhe intelektualë. 

Pasi shërbeu si burg, ndërtesa u braktis për një kohë, derisa nisma për ta restauruar, në vitin 1996, e ktheu në një nga hotelet më të mira të rrjetit Four Seasons dhe të qytetit. Detajet arkitekturore origjinale, si harqet, kolonat dhe oborri qendror, janë ruajtur me kujdes.

Sot, brenda mureve ku dikur dëgjoheshin hapa të të burgosurve, vizitorët përjetojnë një ambient të rafinuar me vetëm 65 dhoma dhe suita. Për udhëtarët që duan të përjetojnë historinë e Stambollit dhe më pas të kthehen në një ambient që flet për shekuj të tërë, ky hotel është një nga adresat e pashmangshme.