
Bar Centifolia në Tokio po bën prej muajsh xhiron e rrjetit, si tempulli i heshtur i miksologjisë japoneze. Por arsyeja pse ky bar është kthyer në një legjendë globale nuk janë vetëm koktejet, por bartenderi pas banakut, i njohur si samuraji modern i miksologjisë.
Me lëvizje precize, Asuka, i cili gjithashtu është edhe pronari i ambientit, e ka kthyer përgatitjen e një kokteji në një performancë shumëdimensionale. Çdo detaj, nga prerja e akullit deri te mënyra si mbahet gota, është rezultat i viteve disiplinë absolute në zanatin e tij.
Në një epokë ku shumica e bareve kërkojnë vëmendje duke u fokusuar te interiori apo vendndodhja, Bar Centifolia zgjedh spektaklin dhe artin, ku çdo klient vjen jo vetëm vetëm për të shijuar një pije, por për të përjetuar një eksperiencë.
Koktejlet realizohen sipas preferencave të klientit dhe kjo filozofi japoneze e përmbushjes së kërkesave deri në detaj, e ka bërë këtë barist një figurë ikonike në mbarë botën. Videot e tij janë bërë virale, duke e kthyer Asuka-n në një nga personazhet më të ndjekur globalisht.
Mjeshtëria e tij e pastër dhe pasioni me të cilin, dukshëm, krijon përzierjet e tij magjike, e bëjnë marketingun agresiv të panevojshëm, sepse, në fund, fama e tij nuk vjen nga titujt apo çmimet, por nga ndjesia që përshkon kur ulesh përballë tij.
