
Ariana Grande rikthehet te një nga “epokat” e saj më të komentuara të stilit: periudha e vitit 2018, kur u pa shpesh me bluza të mëdha dhe çizme të gjata mbi gju, një kombinim që u kthye shpejt në trend dhe u bë thuajse uniforma e saj e përditshme.
Në një bisedë me Vogue, ku kaloi nëpër një seri veshjesh nga momentet e para në tapetin e kuq deri te paraqitjet më të fundit, Grande ndalet te një foto e asaj kohe, kur po dilte nga apartamenti i saj në New York, e veshur me një sweatshirt të zi, çizme të larta dhe një çantë të vogël rripi në bel. Ajo e përshkruan atë periudhë si një kohë “të çuditshme” në jetën e saj, duke pranuar se po përpunonte shumë gjëra dhe se, shpesh, dëshira e vetme ishte të fshihej pas diçkaje të rehatshme. Megjithatë, çizmet, thotë ajo, i jepnin ende një ndjesi vetëbesimi dhe “sexy”.

Ariana shpjegon se në atë moment nuk kishte energji mendore për të menduar seriozisht për rrobat. Zgjidhja më e lehtë ishte e drejtpërdrejtë: të hidhte një sweatshirt dhe ta mbyllte look-un me një palë çizme të theksuara. Kështu lindi dhe u përsërit, deri sa u bë identitet stilistik më vete.
Viti 2018 ishte realisht i ngarkuar për këngëtaren. Një vit më parë, gjatë koncertit të saj në Manchester, ndodhi sulmi me bombë ku humbën jetën 22 persona dhe u plagosën qindra të tjerë. Më pas, në shtator 2018, ish-partneri i saj Mac Miller ndërroi jetë në moshën 26-vjeçare si pasojë e një mbidoze aksidentale. Në të njëjtin vit, ajo përjetoi edhe marrëdhënien e bujshme me Pete Davidson, që nisi në maj, u shoqërua me fejesë brenda pak javësh dhe përfundoi në tetor.
Në të njëjtën intervistë, Ariana prek edhe transformimet e tjera të imazhit të saj: nga flokët e kuq në Nickelodeon, ku thotë me shaka se “ia kishte firmosur” flokët kanalit kur mori rolin e Cat te Victorious, deri te ndryshimi më i fundit për “Wicked”, ku u bë bionde për rolin e Glinda-s.
Ajo nuk i shmang as komentet për vetullat e saj, një detaj që shpesh është diskutuar online. Duke parë një foto nga koha e “Victorious”, Ariana bën humor me fazat kur po “e kuptonte” stilin e vetullave dhe shton se i pëlqen t’i mbajë të drejta, edhe nëse jo të gjithëve u pëlqen: përfundimisht, është zgjedhja e saj.
