Michelle Obama ka folur hapur për një temë që ende shihet si “tabu” në shumë marrëdhënie: terapinë në çift. Në një intervistë në podcastin “Call Her Daddy”, ish-zonja e parë ka treguar se ajo dhe Barack Obama kanë bërë seanca terapie për të punuar mbi marrëdhënien e tyre, duke e përshkruar martesën si diçka që kërkon përkushtim të vazhdueshëm.

Michelle shprehet se beson fort te terapia, sepse të ndihmon të bësh biseda të vështira me ndihmën e njerëzve objektivë që të orientojnë. Sipas saj, ruajtja e ekuilibrit në çift nuk është çështje “fati” apo “kimie”, por punë e përditshme. Ajo e quan një proces konstant, një lloj “pune” që duhet rinovuar vazhdimisht.

Në të njëjtën bisedë, Michelle ndalet edhe te një ide që, sipas saj, shpesh keqkuptohet: partnerët nuk mund ta ndryshojnë njëri-tjetrin. Ajo thotë se me kalimin e kohës ka kuptuar se nuk ka kontroll mbi burrin e saj, ashtu siç ai nuk ka kontroll mbi të. Për të, çelësi është që secili të bëjë “punën e vet” si individ, dhe pastaj të takohen në mes si dy njerëz të plotë, jo si dy gjysma që kërkojnë të rregullojnë njëri-tjetrin.

Mesazhi i saj lidhet edhe me shëndetin emocional personal. Michelle këshillon që një marrëdhënie nuk mund të jetë e shëndetshme nëse individi nuk punon më parë me veten: të ndërtojë vetëbesim, të forcojë marrëdhëniet shoqërore, të krijojë një bazë të brendshme të qëndrueshme. Ajo thekson se nuk mund të kontrollosh kush do të të dojë, kush do të të vlerësojë, apo si do të të shohin të tjerët, sepse secili i ka filtrat dhe betejat e veta.

Në intervistë, ish-zonja e parë prek edhe zhurmën publike që ka shoqëruar herë pas here çiftin Obama, sidomos pas disa daljeve të Barack në evente ku u shfaq pa të. Michelle thotë se shumë njerëz nuk e konceptojnë lehtë idenë që një grua e rritur mund të marrë vendime për veten pa u lexuar menjëherë si “krizë” në martesë. Sipas saj, sapo del nga stereotipi, shoqëria të etiketojnë si “të çuditshme” ose “problem”.

Kjo nuk është hera e parë që Michelle flet për terapinë. Ajo ka treguar edhe më herët se ka kërkuar ndihmë profesionale në një fazë tranzicioni personal, kur vajzat u rritën dhe shtëpia u bë më e qetë, një periudhë që shpesh quhet “sindroma e folesë bosh”. Për Michelle, terapia në atë moment ishte si një “kontroll teknik”: një mënyrë për të kuptuar veten, për të riorientuar energjitë dhe për të pranuar se edhe kur ke përmbushur shumë role, prapë vjen një çast kur pyetja kthehet te vetja: “Po unë, çfarë dua tani?”

Në thelb, rrëfimi i saj e zhvendos fokusin nga ideja e “martesës perfekte” te ideja e një marrëdhënieje që kërkon kujdes, punë dhe pjekuri, pa turp, pa maska dhe pa frikë nga ndihma profesionale.