Në një bisedë të qetë në dhomën e ndenjes, Selin ka hapur një kapitull të ndjeshëm të jetës së saj, duke i rrëfyer Gimbos një histori që, sipas saj, nuk e di askush jashtë rrethit familjar. Në një moment të së kaluarës, ajo tha se prindërit e saj kanë qenë në proces divorci, pas një “gabimi” të bërë nga babai.

Selin e solli rrëfimin me tone të përmbajtura, por me emocione të qarta, duke lënë të kuptohet se është një ngjarje që e ka shoqëruar për shumë kohë. Ajo u shpreh se, megjithëse situata u tejkalua dhe familja nuk u nda, brenda saj mbetet ende një pikëpyetje e madhe.

Gjatë dialogut, Gimbo e ndërpreu për ta pyetur nëse ajo ka pasur rol në pajtimin e prindërve. Selin iu përgjigj duke e pranuar pjesërisht, por pa hyrë në detaje, ndërsa theksoi se nuk është penduar. Megjithatë, ajo shtoi se ndjenja e pasigurisë lidhet me atë që nuk e di dot me saktësi: nëse nëna e saj e ka falur realisht nga brenda dhe nëse e ka përmbyllur emocionalisht atë periudhë.

Selin: Unë e kam pasur një histori që nuk e di njeri. Në një moment të jetës sonë, babi ka bërë një gabim dhe kanë qenë në proces divorcesh, por unë…

Gimbo: I ke pajtuar?

Selin: Padashje. Jo padashje, por…

Gimbo: Je pishman?

Selin: Jo. S’jam pishman. Por njëkohësisht nuk e di si e ka përjetuar mami im. Do me thënë e di, se unë kam qenë me atë gjatë gjithë kohës, por nuk e di nëse do të donte ta përjetonte ndryshe. Më kupton? Nëse vërtet ajo thellë-thellë e ka falur dhe nëse thellë-thellë është shëruar.