
Në Grida Duma Podcast, aktori Mehdi Malkaj ka bërë një rrëfim të hapur për betejën shumëvjeçare të djalit të tij me varësinë nga droga, duke e përshkruar si një periudhë të gjatë ankthi dhe pasigurie për familjen.
Malkaj e cilësoi si momentin më të lumtur të kohëve të fundit faktin që, sipas tij, djali “fitoi një betejë”, duke e konsideruar këtë arritje më të madhe se çdo sukses personal apo profesional.
Sipas rrëfimit të tij, djali ishte 15 vjeç kur provoi për herë të parë drogën, në një periudhë kur siç u shpreh aktori shumë njerëz nuk e kuptonin ende qartë dimensionin dhe rrezikun e saj. Ai e përshkroi varësinë si një “dashuri të rreme”, duke thënë se “adoleshentët bien në dashuri me atë që shohin, jo me atë që është”.
Gjatë episodit, Malkaj foli për netët pa gjumë dhe kërkimet e përsëritura në Tiranë bashkë me bashkëshorten, duke e përmbledhur me shprehjen: “Me gruan time i kemi larë rrugët e Tiranës”, në kuptimin e përpjekjeve të pandërprera për ta gjetur djalin kur mungonte me orë të tëra. Ai shtoi se kishte pasur raste kur familja e kërkonte natën, ndërsa djali kthehej vetë.
Një pjesë e rëndësishme e rrëfimit lidhej me rolin e motrës së djalit. Sipas Malkajt, dashuria dhe afërsia e saj u kthyen në një burim shprese dhe motivimi, duke ndihmuar në ndryshimin e gjendjes së të birit. Ai përmendi edhe një detaj nga marrëdhënia e tyre, duke thënë se i vëllai i thotë të motrës se “i ka borxh 10 puthje”, si shenjë e lidhjes së ngushtë mes tyre.
Aktori theksoi se sot e sheh djalin “më ndryshe”, duke e përshkruar si një prani që ka sjellë më shumë qetësi dhe gëzim në familje. Ai kujtoi gjithashtu pushimet familjare pas shumë vitesh, ku sipas rrëfimit të tij djali ishte në timon dhe u tregua i kujdesshëm dhe korrekt.
Në fund, Malkaj dha edhe një mesazh publik për mënyrën si duhet folur për drogën dhe varësinë. Ai kërkoi që të shmangen mallkimet apo urimet e këqija të tipit “u paça fëmijët me drogë”, duke e cilësuar varësinë si “luftë të madhe” dhe duke shtuar se vigjilenca, sipas tij, nuk mbaron kurrë.
