I gdhendur në shkëmb, me pamje që shtrihen pa kufi mbi Detin Egje, Cavo Tagoo Mykonos është shumë më tepër sesa një hotel luksoz. Ai është një simbol i Mykonos-it, ku minimalizmi cikladik dhe përvoja ekskluzive e të pushuarit shkrihen në një.

I pozicionuar vetëm pak minuta nga Mykonos Town (Chora), Cavo Tagoo ofron luksin e privatësisë, pa u shkëputur nga ritmi, jeta dhe energjia e ishullit. Lokacioni i tij strategjik e bën ideal si për ata që kërkojnë arratisje romantike, ashtu edhe për udhëtarët që duan të jenë pranë restoranteve, butikëve dhe jetës së natës.

Dizajni i hotelit njihet për kombinimin karakteristik të ngjyrave të bardhë dhe blu, me hapësira të mëdha që hapen drejt drejt dritës. Suitat “cave”, të frymëzuara nga shpellat natyrore të ishullit, krijojnë ndjesinë e një strehe intime, ndërsa dhomat dhe suitat me “jacuzzi” apo pishina private janë konceptuar për rehati maksimale. 

Kulinaria në Cavo Tagoo është po aq e kuruar sa arkitektura. Zuma dhe Meraki, dy nga restorantet më të famshme në Mykonos, ofrojnë menu me produkte cilësore lokale dhe pjata që krijohen si art nga shefat. Lounge & Pool Bar, nga ku spikat pishina “infinity” me ujë të kripur, shndërrohet gjatë ditës dhe mbrëmjes në një nga pikat më ikonike të Mykonos, ku koktejet dhe muzika krijojnë një ritual të vërtetë veror. 

Me çmime që zakonisht fillojnë nga rreth 800 euro për natë e mund të arrijnë 5.000 euro, në varësi të tipologjisë dhe periudhës, Cavo Tagoo është destinacioni që duket sikur nuk e humb asnjëherë sharmin.