Një moment i vogël në sallë u kthye në një nga skenat më të komentuara të mbrëmjes në Grammys: Miley Cyrus u vu në qendër të vëmendjes pasi nuk u ngrit dhe nuk duartrokiti kur Lady Gaga u ngjit në skenë për të marrë çmimin “Best Pop Vocal Album” për MAYHEM.

Sipas raportimit, këngëtarja 31-vjeçare qëndroi ulur gjatë momentit të fitores, ndërsa pjesa tjetër e të nominuarve dhe të pranishmëve reaguan me duartrokitje përfshirë edhe Sabrina Carpenter. Pamjet u shpërndanë shpejt në rrjete dhe u interpretuan si “snub” (mospërfillje) ndaj Gagës.

Menjëherë pas kësaj, rrjeti u ndez me komente në X: disa përdorues kërkuan shpjegim pse Miley nuk reagoi, ndërsa të tjerë sugjeruan se “hija” nuk kishte lidhje me Gagën, por me producentin e albumit fitues.

Në qendër të këtyre spekulimeve u përmend Andrew Watt, i cili sipas të njëjtit raportim është përfolur prej kohësh në rrjet si personi me të cilin Miley mund të ketë një raport të tensionuar. Pjesa e publikut që e mbrojti Miley-n theksoi se ajo dhe Watt kishin bashkëpunuar në të kaluarën, përfshirë projektin Plastic Hearts, dhe se mosreagimi i saj, nëse kishte një arsye, mund të lidhej me këtë dinamikë e jo me fituesen e çmimit.

Raportimi nënvizon se arsyeja e përplasjes mes Miley dhe Watt nuk është e qartë, ndërsa në rrjet kanë qarkulluar thashetheme për një afërsi të mundshme gjatë kohës së bashkëpunimit të tyre pa konfirmime zyrtare. Nga ana tjetër, në një intervistë të vitit 2020 për Entertainment Weekly, Watt kishte folur me superlativa për Miley-n dhe vizionin e saj artistik.

Deri në publikimin e lajmit, përfaqësuesit e Miley Cyrus dhe Lady Gaga nuk kishin kthyer përgjigje për koment. Në mbrëmje, Miley u shfaq në ceremoni e shoqëruar nga Maxx Morando.