
Gjesti u rikthye në muzikë dhe rikthimi i tij ishte i bujshëm, i shumëpritur dhe u përqafua nga shqiptarët. Sidomos pas heshtjes së tij që nga humbja tragjike e të vëllait.
“Memories” duket më shumë si një kujtesë se sa të rënda mund të jenë kujtimet kur bëhen e vetmja mënyrë për të qenë pranë dikujt.
Kënga i është kushtuar vëllait të tij të ndjerë, që humbi jetën tragjikisht në një aksident, dhe ky fakt nuk rri në sfond si detaj biografik, por mbi të ndërtohet i gjithë projekti.
Videoklipi hapet ftohtë, errët, i zhveshur nga çdo zbukurim. Gjesti shfaqet i shtrirë, në një atmosferë që të jep ndjesinë e një nate të gjatë, pa gjumë.
Një nga detajet që ka tërhequr më shumë vëmendje është xhaketa e motoçiklistit me mbishkrimin “Huni 18”, një simbol i drejtpërdrejtë kujtese dhe një referencë që lidhet me faktin se vëllai i artistit ishte me motor në momentin e aksidentit fatal.

Klipi ndërkohë e çon rrëfimin edhe në një kënd lojërash, duke krijuar atë efektin e kthimit pas në kohë, aty ku kujtimet janë ende të gjalla. Është ai kontrast i fortë që e bën këngën më të ndjerë: një vend ku dikur jeta është shijuar në maksimum, tani shfaqet si një hapësirë ku mungesa bëhet edhe më e dukshme.

Pantollonat me mbishkrimin “Joker” janë metaforë e errësirës që ai po përjeton, e asaj dhimbjeje që në pamje të parë mund të duket e fshehur, por që realisht është e veshur me të zeza dhe s’ka ku të shkojë.

“Krejt ca ka met, ka met, tash vec kujtime… Cdo natë t’menoj e s’mun t’ndaj prej jetës time… S’mujta m’i majt, m’i majt, ato premtime… Po ti mu falma që s’ja fali vetes time.” -thotë ai në refren, si në një dialog të brendshëm ku ke gjithmonë diçka që do doje ta kishe bërë ndryshe.
