Një episod i fundit në SmartLess riktheu një debat të vjetër, por shumë aktual: pse vendimet e grave për të pasur ose jo fëmijë trajtohen si temë për “shpjegim publik”, sikur të ishin një llogari për t’u dhënë, jo një zgjedhje intime.

Në qendër ishte Charli XCX, e cila prej kohësh e ka trajtuar me ndershmëri dilemen e mëmësisë edhe në muzikën e saj. Në albumin Brat (qershor 2024), kënga 'I think about it all the time' e përshkruan me empati atë moment tipik pas të 30-ave, kur pyetja “a jam gati?” fillon të trokasë nga të gjitha anët: nga koha biologjike, nga karriera, nga pritshmëritë shoqërore, madje edhe nga bisedat e përditshme brenda çiftit.

Dhe megjithatë, pavarësisht se e ka shprehur qartë këtë reflektim, këngëtarja u vu në siklet gjatë një interviste në podcast, kur biseda shkoi te prindërimi. Pas një pyetjeje që e çonte logjikisht te skenari “sa fëmijë do doje?”, ajo u përgjigj thjesht se aktualisht nuk dëshiron të ketë fëmijë. Kur u pyet “pse”, Charli u shpreh se nuk është plotësisht e sigurt dhe se ndoshta mund ta ndryshojë mendje në të ardhmen, duke shtuar se ndonjëherë e gjen veten duke fantazuar për idenë e një fëmije, për shembull duke menduar emra, por kjo, për të, është pikërisht shenja që ende nuk ndihet gati.

Aty ku biseda mund të mbyllej normalisht, ajo mori një kthesë të bezdisshme. Moderatori Jason Bateman solli si shembull gruan e tij Amanda Anka, duke treguar se ajo fillimisht nuk donte fëmijë, por më pas ndryshoi mendje. Deri këtu, një rrëfim personal. Por situata u bë vërtet e sikletshme kur iu nënkuptua se “ndoshta do gjejë dikë” me të cilin do ta dojë këtë gjë, dhe kur Charli ia ktheu se është e martuar, replika tjetër ishte edhe më problematike: sugjerimi se “ndoshta me burrin e ardhshëm” do të dojë fëmijë. Komentet në rrjet reaguan menjëherë, jo vetëm sepse nënvlerësonin marrëdhënien e saj aktuale me George Daniel, por sepse mbështeteshin te një ide e vjetër: sikur një çift për të qenë “i plotë” duhet domosdoshmërisht të prokrijojë.

Në thelb, ky episod nuk është thjesht një “moment awkward” televiziv. Është një pasqyrë e qartë e mënyrës se si shoqëria, edhe pa e kuptuar, u kërkon grave të arsyetojnë vendime që duhej të mbeteshin private. Pyetja “pse nuk do fëmijë?” shpesh vjen me një nëntekst të padukshëm: “bindmë që ke të drejtë të mos i do.” Ndërsa pyetja për një burrë në të njëjtën temë rrallë ka të njëjtën ngarkesë gjykimi.

Charli nuk reagoi publikisht drejtpërdrejt ndaj këtij episodi, por në një farë mënyre, përgjigjja e saj është e njohur prej kohësh: ajo që thotë në këngë, në intervista më të kujdesshme dhe në mënyrën si e trajton temën, është se mëmësia nuk është “detyrim biografik”, por zgjedhje. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi i madh: nëse edhe një artiste me platformë globale përfundon duke u vënë në pozitën e justifikimit, sa shpesh ndodh kjo me gratë e zakonshme, në punë, në familje, në biseda “të pafajshme” që në fakt janë presion i maskuar?

Ndoshta pyetja që duhet të ndryshojë nuk është “pse nuk do fëmijë?”, por “pse e kemi kaq të vështirë të pranojmë që kjo është një zgjedhje, jo një shpjegim që na detyrohen?”