
Në një kohë kur udhëtimet spontane janë kthyer në luks të vogël të përditshmërisë, Tirana ka një avantazh të rrallë: brenda më pak se dy orësh fluturim, mund të arratisesh drejt disa prej destinacioneve më të bukura dhe më të dëshirueshme të Europës dhe Mesdheut.
Italia është gjithmonë një zgjedhje e sigurt, sepse çdo qytet i saj ofron një atmosferë të veçantë: Bari të pret me shëtitoren elegante buzë Adriatikut, rrugicat e vjetra dhe trattori-të me kuzhinën lokale, ndërsa Napoli është i gjallë, plot karakter, me histori të pasur dhe shijen e picës origjinale që e bën qytetin një eksperiencë më vete.
Roma mbetet kryeqyteti i romancës së përjetshme, ku çdo shëtitje mes shesheve ikonike, kafeneve dhe lagjeve si Trastevere duket si skenë filmi. Catania në Siçili sjell Italinë me diell, detin kristal dhe një sfond dramatik nga Etna, perfekte për ata që kërkojnë një arratisje më autentike dhe më të ngrohtë.
Milano, nga ana tjetër, është fytyra moderne dhe chic e Italisë: një destinacion ideal për shopping, art dhe një gotë “Aperol Spritz”. Në Greqi, Athina kombinon historinë antike me “rooftop bars” dhe lagjet moderne. Vjena sjell qetësinë, elegancën perandorake dhe kafenetë klasike, ndërsa Budapesti surprizon me Danubin, dritat e mbrëmjes dhe banjat termale që e bëjnë një nga qytetet më romantike të Europës.
Për ata që kërkojnë diell dhe resorte luksoze, Antalya është arratisja ideale. Pa harruar Stambollin, me Bosforin, pazaret karakteristike dhe netët plot atmosferë. Këto destinacione tregojnë se ndonjëherë mjafton një fluturim i shkurtër dhe një valixhe e vogël për të përjetuar një copëz të re të botës e për t’u rikthyer me një energji krejt tjetër.
