
Në një tjetër episod që e ushqen edhe më shumë sagën e përplasjes brenda një prej familjeve më të njohura të showbiz-it britanik, Brooklyn Beckham raportohet se ka mbuluar tatuazhin që i kishte kushtuar të atit, David Beckham.
Sipas pamjeve të publikuara nga The Sun, Brooklyn është parë në Los Angeles pranë bashkëshortes së tij, Nicola Peltz, ndërsa në krahun e djathtë tatuazhi i mëparshëm një spirancë me mbishkrimin “DAD” në qendër duket se është transformuar: teksti nuk shihet më dhe është mbuluar me elementë të rinj, që ngjajnë me një yll deti dhe dy jelekë shpëtimi.
Një burim i cituar nga tabloidi pretendon se ndryshimi është bërë pas trajtimit me lazer, me qëllimin që tatuazhi “të zhdukej”. “Ai donte që të ikte”, thuhet në deklarimin e burimit. Në të njëjtën linjë, i njëjti burim shton se Brooklyn do të reportohet se ka mbuluar edhe tatuazhin në kraharor të dedikuar për të ëmën, Victoria Beckham, duke e lexuar këtë si një tjetër shenjë të ftohjes së marrëdhënieve brenda familjes.

Asnjë reagim zyrtar nuk është dhënë menjëherë nga përfaqësuesit e Brooklyn, por lajmi vjen në një moment kur përçarja familjare është kthyer tashmë në një temë publike. Muajin e kaluar, situata u përshkallëzua pasi Brooklyn publikoi një deklaratë të ashpër në rrjetet sociale, ku shprehej se nuk dëshironte pajtim dhe akuzonte prindërit se po cenonin martesën e tij. Në atë deklarim ai përmendi edhe se në dasmën e vitit 2022, Victoria kishte kërcyer “në mënyrë të papërshtatshme” me të.
Ndërkohë, pjesa tjetër e familjes Beckham është shfaqur e bashkuar në daljet publike, ndërsa nga ana tjetër, në qendër të vëmendjes ka hyrë edhe babai i Nicolës, miliarderi Nelson Peltz. I pyetur gjatë një sesioni pyetje-përgjigje në WSJ Invest Live në West Palm Beach, ai ironizoi: “A ka qenë familja ime nëpër media kohët e fundit? Nuk e kam vënë re fare.” Pastaj shtoi se këshilla e tij ishte e drejtpërdrejtë: “Qëndroni larg shtypit.” Dhe për çiftin u shpreh: “Vajza ime është mirë, dhëndri im Brooklyn është mirë dhe pres që të kenë një martesë të gjatë e të lumtur së bashku.”
