Ka një distancë që nuk matet me analiza apo me datat e kontrolleve. Është ajo hapësira mes asaj që ti ke kaluar vërtet dhe asaj që të tjerët mendojnë se kanë kuptuar. Në Ditën Botërore Kundër Kancerit, Bianca Balti kthehet të flasë për përvojën e saj, por jo duke ndjekur rrugën e zakonshme të rrëfimeve “të forta”. Ajo zgjedh një kënd tjetër: atë të dyshimit, të komenteve, të keqkuptimeve dhe të humbjes së kontrollit që nuk mbaron kur mbaron trajtimi.

Në një seri postimesh në Instagram, Balti vendos krah për krah përjetimet e saj me reagimet që ka marrë në kohë. Një lloj pasqyre ku lexon, në të njëjtën faqe, si funksionon sëmundja brenda trupit dhe si funksionon sëmundja në sytë e botës.

Ajo rikthehet te vendimet më të ndjeshme të historisë së saj klinike. Në vitin 2022, pasi zbuloi se ishte bartëse e një varianti të gjenit BRCA1, tregoi se zgjodhi të bënte një mastektomi të dyfishtë parandaluese. Dhe bashkë me vendimin, erdhi edhe pyetja që e ka dëgjuar shpesh: “Pse do ta bëje, kur s’je e sëmurë?” Një pyetje që tingëllon “logjike” për kë e sheh jetën nga jashtë, por që për kë e jeton rrezikun nga brenda është një presion më vete: të duhet të justifikosh frikën, parandalimin, instinktin e mbijetesës.

Edhe më herët, thotë ajo, kishte ndjesinë se diçka nuk shkonte, por edhe atëherë u minimizua, u lexua si ankth i tepërt, si “paranojë”. Si të ishte gjithmonë më e lehtë t’i vësh një etiketë një gruaje që dyshon, sesa ta dëgjosh vërtet.

Në shtator 2024, Balti bëri publik se kishte kryer një ndërhyrje për një tumor ovarian. Edhe atëherë, rrëfimi i saj shoqërohet nga një tjetër lloj komenti që e zhvendos barrën te individi: “Pse s’i hoqe vezoret, nëse e kishe mutacionin?” Në këtë pikë, ajo prek një nga nervat më të ndjeshëm të përvojës së sëmundjes sot: mënyra si të tjerët e kthejnë një histori shëndeti në një debat “zgjidhjesh”, sikur gjithçka të ishte e thjeshtë, lineare, pa frikë, pa kohë, pa pasoja emocionale.

Por pjesa më e fortë e mesazhit të saj është ndoshta aty ku rrëzon idenë se kanceri është vetëm një periudhë e errët që mbyllet me një fund “të lumtur”. Ajo thotë se kur ishte në mes të betejës, njerëzit ndienin keqardhje për të, ndërsa ajo vetë ndjehej më e fortë se kurrë dhe kërkonte vetëm një gjë: të ndihej normale.

Dhe pastaj vjen momenti që shpesh nuk shihet nga askush. Kur kimioterapia mbaron, kur shenjat e dukshme zbuten, kur flokët rriten dhe bota vendos vetë që “tani je mirë”. Sipas saj, pikërisht ajo fazë ishte më e vështira. Sepse atëherë pritshmëritë e të tjerëve fillojnë të të shtypin me një lloj optimizmi të detyruar, ndërsa brenda teje ende ka frikë, lodhje, boshllëk, madje edhe depresion.

Mesazhi i saj e thotë qartë se kanceri nuk ecën drejt. Nuk është një vijë e drejtë, por një përzierje e çuditshme e dyshimit, e të qenit i shpërfillur, e fajit, e forcës, e frikës, e adrenalinës dhe e dhimbjes, shpesh të gjitha bashkë. Dhe në fund, ajo bën një thirrje të thjeshtë për këdo që rri pranë një njeriu që po kalon diçka të tillë: dëgjo më shumë dhe përpiqu më pak t’i “rregullosh” gjërat.

Sepse kanceri, siç e rrëfen Bianca Balti, nuk është një histori e vetme. Është të vihesh në dyshim përpara, të gjykohesh gjatë dhe të keqkuptohesh pas. Dhe ndonjëherë, ajo që i bën më shumë dëm një njeriu, nuk është vetëm dhimbja e trupit, por mënyra si bota kërkon t’ia thjeshtojë për ta përtypur më lehtë.