Dokumentet e bëra publike javën e kaluar nga U.S. Department of Justice për çështjen Jeffrey Epstein kanë rikthyer sërish në qarkullim emrin e Bill Gates. Në disa materiale përmenden komunikime dhe një draft i vitit 2013, në të cilin Epstein i referohet një korrespondence me përmbajtje intime dhe pretendon se ka pasur në dorë email-e që lidhen me çështje personale të Gates. (Pjesa me përmbajtje eksplicite nuk po riprodhohet.)

Pikërisht këtu hyn në skenë zëri i ish-bashkëshortes së tij, Melinda French Gates, e cila u divorcua nga Bill Gates në vitin 2021. Në një episod të podcastit Wild Card të NPR, që pritet të publikohet më 5 shkurt, ajo i është përgjigjur pyetjeve të moderatores Rachel Martin rreth këtyre zhvillimeve dhe mënyrës si e prekin sot.

Melinda kishte prekur më herët temën e vështirësive në martesë dhe lidhjeve të ish-bashkëshortit me Epstein në librin e saj të kujtimeve “The Next Day”, botuar pas divorcit, ku fliste për periudhën e trazuar të marrëdhënies, veçanërisht në vitet 2019–2020, deri te netët me ankth dhe ëndrra të këqija. Tani, në podcast, ajo e zhvendos fokusin nga biografia personale te dimensioni shoqëror i çështjes.

“Besoj se si shoqëri po përballemi me atë që ka ndodhur, apo jo? Asnjë vajzë nuk duhet të përfundojë kurrë në situatën ku e vendosi Epstein dhe gjithçka që po ndodhte me njerëzit rreth tij”, shprehet ajo.

Ajo e pranon se çdo herë që dalin në pah këto detaje, i rikthehen momente që i quan të dhimbshme nga martesa e saj: “Për mua është e vështirë sa herë që dalin këto detaje, sepse më sjellin në mendje momente shumë, shumë të dhimbshme të martesës sime. Por unë kam ecur përpara”. Dhe pastaj shton thelbin e asaj që e konsideron urgjente: “Të paktën unë kam arritur të vazhdoj jetën time dhe shpresoj që sot të ketë pak drejtësi për ato gra. I shohim përpara mikrofonave në Uashington. Ajo që kanë kaluar është thjesht e paimagjinueshme”.

Në vijim, Melinda French Gates thekson se përgjigjet duhet të kërkohen nga ata që kanë qenë pjesë e historisë, jo prej saj: “Çfarëdo pyetjesh që mbeten për gjërat që nuk i di as që mund të filloj të di gjithçka ato pyetje janë për ata njerëz dhe madje edhe për ish-bashkëshortin tim. Ata duhet t’u përgjigjen këtyre pyetjeve, jo unë. Dhe jam shumë e lumtur që jam larg gjithë atij balte”.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Bill Gates ka mohuar vërtetësinë e email-eve, duke deklaruar për People se dokumentet “tregojnë vetëm frustrimin e Epstein” dhe përpjekjen e tij për ta futur Gates në kurth dhe për ta diskredituar. Sipas asaj që thuhet në tekstin e artikullit, deri në momentin e shkrimit, Bill Gates nuk është akuzuar për ndonjë krim apo shkelje në lidhje me krimet e Epstein.