Në një botë ku kultura e koktejeve është kthyer në trend kalimtar, Bar Basso mbetet një nga të paktët bare ku tradita e vërtetë e “great international bars” vazhdon të jetojë me të njëjtin sharm dhe elegancë.

I themeluar në vitin 1947, Bar Basso ishte bari i parë në Milano që solli konceptin e “aperitif’ për publikun e gjerë. Deri atëherë, koktejet mund të gjendeshin vetëm në “lounge”-et ekskluzive të hoteleve luksoze ndërkombëtare. Por Bar Basso e bëri këtë ritual të sofistikuar pjesë të jetës së përditshme milaneze, në një atmosferë lagjeje, por me stil të pakrahasueshëm.

Sot, lista e koktejeve të barit përfshin mbi 500 pije, duke filluar nga klasikët e përjetshëm si Bloody Mary, Manhattan dhe Martini, deri tek krijime origjinale që janë bërë pjesë e identitetit të tij. Ndër më të famshmet është Rossini, krijuar nga Mirko Stocchetto për të tërhequr edhe zonjat.

Por firma e vërtetë dalluese e Bar Basso mbetet kokteji i tij legjendar, Negroni Sbagliato®, një ikonë e “aperitivo-s” moderne. Bar Basso është i hapur pa ndërprerje nga mëngjesi deri në mbrëmje, me një kuzhinë të re, që përfshin pjata të thjeshta, por të kuruara, si “Gnocchi alla Romana”, Gnudi me sherebelë, por edhe klasike ndërkombëtare si “Club Sandwich” apo “Chicken Pot Pie”.

Atmosfera e barit bëhet edhe më elektrizuese gjatë eventeve më të mëdha kulturore të qytetit, si “Salone del Mobile” apo panairet e artit, kur bari shndërrohet në skenën perfekte për festa ekskluzive. Madje, kjo energji shkon përtej Milanos: koktejet e Bar Basso dhe shërbimi i tij i catering-ut kanë qenë pjesë e eventeve të markave si Gucci, Valextra dhe Coach, ndërsa Maurizio Stocchetto është ftuar të sjellë artin e tij të miksologjisë në qytete si Londra, Moska, Venecia apo Atlanta.