Në zemër të distriktit të sofistikuar të Östermalm, në Stockholm, Bank Hotel shtrihet në një ndërtesë historike që shërbente si banka kryesore e Södra Sverige në fillim të shekullit të 20-të. 

E ndërtuar nga arkitekti i famshëm Thor Thorén, në vitin 1910, me një stil të guximshëm që ndërthur elemente të “Renaissance” me detaje të “art-nouveau” dhe “art-deco”, godina vazhdon të ruajë gjurmët e pastra të origjinës së saj edhe sot. 

Hoteli, anëtar i rrjetit ekskluziv Small Luxury Hotels of the World, u hap zyrtarisht si një destinacion “boutique” më 22 gusht 2018, pas një transformimi të kujdesshëm që nxjerr në pah luksin bashkëkohor, duke ruajtur karakterin historik të ndërtesës.

Nga holli me pllaka mermeri dhe dekor mahagoni, tek tavani gjysmë qelqi i restorantit Bonnie’s, çdo hapësirë duket si një interpretim i sofistikimit skandinav me tone dramatike, të ndërthurura bukur me elementët origjinalë të bankës. 

Bank Hotel ofron 115 dhoma dhe suita komode, me hapësira të bollshme, mobilim elegant, dritarë të mëdha apo edhe tarraca panoramike. Hoteli ka një atmosferë shumë mikëpritëse, me ambiente si restorante dhe bare që ndihen ekskluzive. Vetëm disa hapa larg nga uji, dyqanet e luksit dhe atraksionet kryesore të qytetit, Bank Hotel është një nga destinacionet më të bukura të Stockholm-it.