
Në jug të Francës, Nice apo Monaco kanë krijuar emrin dhe famën e tyre, por nuk janë të vetmit që shkëlqejnë. Diku mes tyre, në hartë, ekziston një vend që nuk të vjen si destinacion ekskluziv turistik, por si një zbulim i vogël, me vlerë të madhe për hierarkinë e Francës.
Èze është një qytezë mesjetare e cila, përveçse duket sikur ka mbetur e paprekur nga koha, ofron pamje madhështore të detit që shtrihet poshtë nga çdo kënd i saj. Nuk është vendi që të impresionon me zhurmë, përkundrazi, qetësia shoqëron ëmbël ndërtesat e të njejtës frymë.
Rrugicat e ngushta prej guri, lulet që varen nga ballkonet, dritaret e vogla dhe panorama që hapet drejt Mesdheut e bëjnë Èze-n një nga ato vende ku thjeshtësinë duhet ta shijosh ngadalë, me një gotë çaj apo kafe në dorë.
Njerëzit nuk shkojnë aty për blerje apo baret e rrëmujshme të plazhit, por për shëtitje të thjeshta, heshtjen elegante të qytezës, si edhe atmosferën e saj intime, ku vaktet e konsumuara në tarracat modeste shijojnë ndryshe. Në Èze ndodhet Jardin Exotique, një kopsht i vogël, por i jashtëzakonshëm, ku njerëzit nuk shkojnë vetëm për të shkrepur foto, por për tu frymëzuar.
Èze është gjithashtu shtëpia e një prej hoteleve më ikonike të Rivierës, La Chèvre d’Or. I fshehur mes mureve të fshatit, ky hotel ofron për pushuesit një përvojë “old-money”. Kjo qytezë nuk ka nevojë të konkurrojë me Cannes apo Saint-Tropez, sepse arratisjen më romantike, që mbetet gjatë si kujtim, e gjeni aty.
