Zërat për një rikthim të mundshëm të Luiz Ejllit në Big Brother VIP 5 kanë pushtuar rrjetin ditët e fundit, duke ndezur menjëherë debat mes fansave: a do të hyjë sërish fituesi i BBVIP 2 në shtëpinë më të famshme në Shqipëri?

Për t’i dhënë një përgjigje këtij “misteri” që po qarkullon kudo, Kiara Tito u pyet drejtpërdrejt teksa ishte e ftuar në emisionin “Shqipëria Live”. Por në vend të një “po” ose “jo”, Kiara zgjodhi të flasë me atë lloj fjale që lë gjithçka pezull.

Moderatorja Sidorela Gjoni tregoi se telefoni i saj ishte “masakruar” nga mesazhet e publikut, që kërkonte me ngulm të dinte nëse Luizi do të rikthehej. Ndërsa Kiara, me qetësi dhe me një nënqeshje që vetëm sa i shtoi më shumë kureshtje situatës, u përgjigj:

“Big Brother është i paparashikueshëm. Luizi është akoma më i paparashikueshëm. As nuk përjashtohet dhe as nuk konfirmohet.”

Biseda u shoqërua edhe me nota humori, kur Sidorela solli në vëmendje titullin e filmit “Loja e Fundit”, duke nënkuptuar se te Luizi fjala “fund” nuk qëndron kurrë gjatë. Dhe Kiara e mbështeti këtë ide, duke e lënë fjalinë të hapur, si një “teaser” që të mban në pritje:

“Menduam se ishte e fundit, por…”