Çfarë po ndodh mes Margot Robbie dhe Jacob Elordi? Pyetja ka qarkulluar ditët e fundit, jo sepse dikush ka konfirmuar një lidhje, por sepse turneu promocional i filmit të tyre, Wuthering Heights, po duket si një histori e shkruar me kujdes, me “shikime”, gjeste dhe deklarata që e ushqejnë kureshtjen.

Dy aktorët luajnë Cathy dhe Heathcliff, çiftin më të trazuar të romantizmit, ndërsa filmi drejtohet nga Emerald Fennell. E pikërisht ky kontekst, një histori dashurie e errët dhe obsesive, po shërben si sfond perfekt që edhe çdo shenjë jashtë setit të lexohet me lupë.

Nxitjen më të madhe e kanë dhënë vetë ata. Në një intervistë për Vogue Australia, Robbie ka treguar se shumë shpejt gjatë xhirimeve nisi të ndihej e hutuar dhe e pasigurt kur Elordi nuk ishte pranë saj, duke e quajtur këtë gjendje si një lloj varësie emocionale. Nga ana tjetër, Elordi nuk e ka mohuar tonin e fortë të kësaj “afërsie”, duke e përshkruar si një obsesion të ndërsjellë që lindi gjatë punës në set.

Pastaj vijnë detajet që e bëjnë rrëfimin edhe më “film”: një buqetë e madhe me trëndafila që ai i paska lënë asaj në dhomën e grimit në Ditën e Shën Valentinit, një unazë e koordinuar mes tyre me një citat nga Wuthering Heights, si dhe paraqitje të shpeshta krah për krah para kamerave, herë pas here edhe duke u kapur për dore.

Në London, në një nga ndalesat e promocionit, kjo afërsi është dukur edhe më e theksuar: pozime të sinkronizuara, kujdes i shtuar ndaj njëri tjetrit, një gjuhë trupi që, për publikun, përkthehet menjëherë si “tension” dhe “tërheqje”. Por pikërisht këtu lind dyshimi: a është spontanitet, apo një koreografi e menduar mirë?

Në Hollywood, këto lojëra nuk janë të reja. Dikur quheshin “çifte promocionale” dhe ndërtoheshin hapur. Sot funksionojnë më ndryshe: askush nuk thotë “jemi bashkë”, por krijohet një mjegull e ëmbël që i mban të gjithë duke folur. Shembulli që përmendet shpesh është çifti Lady Gaga dhe Bradley Cooper në kohën e A Star Is Born, kur kimia në skenë dhe jashtë saj u kthye në fenomen emocional për fansat.

Ndërsa te Robbie dhe Elordi, tabloja duket më e qartë, të paktën në letër: Robbie është e martuar prej vitesh me Tom Ackerley, i cili është edhe producent i vetë filmit. Pra, ajo që shitet si “kimia e dy personazheve” mund të jetë thjesht mënyra më efikase për ta shitur filmin, pa thënë asgjë që do të rrëzohej lehtë nga publiku.

Në fund, ndoshta kjo është gjithë ideja: sot një film nuk promovohet vetëm me trailer, por edhe me historinë përreth tij. Dhe kur filmi vetë flet për pasion, varësi dhe obsesion, një promocion që e imiton atë atmosferë është thjesht marketing i bërë mirë. Ose, siç do ta thoshin romantikët, një rol që s’ka mbaruar ende kur fiket kamera.