
Haute Couture është ajo copëz e botës së modës ku koha nuk matet me koleksione sezonale, por me mijëra orë pune. Haute Couture, si një pikturë e rrallë apo një simfoni e kompozuar për një audiencë shumë të vogël, është art i pastër dhe një formë e rrallë krijimtarie që nuk “prodhohet”, por rrjedh nga shpirti.
Ky standard i modës nuk shitet si produkt, por si një ëndërr e bukur, e cila merr formën e pëlhurës dhe derdhet me elegancë në siluetën e trupit. Termi “Haute Couture” nuk është mjet për marketing. Në Francë, ky titull mbrohet nga “Chambre Syndicale de la Haute Couture” dhe u përket vetëm shtëpive të modës që plotësojnë kriteret e industrisë.
Këtë status e kanë vetëm disa emra të përzgjedhur, si Chanel, Dior, Givenchy në periudha të caktuara, Schiaparelli, Giambattista Valli apo Jean Paul Gaultier si shtëpi couture, të cilët vënë në jetë elementet e punimit me dorë, atelie në Paris, koleksionet e prezantuara dy herë në vit dhe një nivel mjeshtërie që shkon përtej të zakonshmes.
Çdo fustan couture është një univers më vete, që e kthen modën në arkitekturë. Sepse imagjinata nuk mjafton. Krijimet kërkojnë qindra, ndonjëherë mijëra orë qëndisjeje, prerjeje e provash, për të arritur çfarë i përngjan një skulpture dramatike.
Sot gjithçka kopjohet brenda minutash, por jo Haute Couture. Ajo mbetet e pariprodhueshme, si një kujtesë se luksi i vërtetë nuk është logo, por kohë, dedikim dhe ekskluzivitet absolut, i cili trashëgohet brez pas brezi tek adhuruesit e artit të vërtetë!
