
Ermal Mamaqi ka rrëfyer në “Grida Duma Podcast” një nga metodat më të veçanta që përdor në edukimin e fëmijëve, duke vënë theksin te mënyra si familja e tij e trajton raportin me paranë.
Sipas Mamaqit, në shtëpinë e tyre shmangen shprehjet “s’kemi lekë” apo “nuk e përballojmë”, edhe kur realisht buxheti është i kufizuar. Në vend të tyre, ai thotë se përdorin një pyetje që i shtyn fëmijët të mendojnë si të rritur: “Si mund ta gjejmë mundësinë që ta blejmë këtë gjë?”. Ideja, siç e shpjegon, është që fëmija të mos mësohet vetëm me kufizimin, por edhe me kërkimin e rrugës për ta arritur një qëllim.
Një tjetër pjesë e këtij “sistemi” lidhet me motivimin financiar: fëmijët, sipas tij, shpërblehen me para për leximin e librave dhe për angazhimet në shtëpi. Shumat grumbullohen dhe më pas i shpenzojnë vetë, si të duan, një mënyrë për t’i mësuar që paraja fitohet, ruhet dhe menaxhohet.
Por episodi që ka tërhequr më shumë vëmendje është ai i cili, djali i tij, 13-vjeçar, i kërkonte një pajisje me vlerë rreth 500 euro. Kur e kuptoi që paratë e kursyera nuk i mjaftonin, djali i erdhi të atit me një zgjidhje që tingëllon si “nga bota e të rriturve”:
“E gjeta zgjidhjen: duhet të më japësh kredi.”
Mamaqi thotë se e mori seriozisht kërkesën dhe e ktheu në një mësim praktik. Bënë llogaritë bashkë dhe ai i vendosi “kushtet” si bankë: jo 500, por 550 euro, me 10% interes.
Sipas aktorit, këto metoda i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë dy gjëra thelbësore: vlerën e parave dhe peshën e vendimeve financiare, në mënyrë që nesër të jenë më të përgatitur për sfidat e jetës reale.
“Unë nuk i them asnjëherë ‘nuk e përballojmë dot’ ose ‘s’kemi lekë’. Edhe kur nuk kemi, fraza që përdor është: si mund ta gjejmë mundësinë që ta blejmë këtë gjë?
Kur lexon një libër, merr një vlerë. Këto para i grumbullojnë dhe i shpenzojnë si të duan.
Nuk i dilnin lekët dhe një ditë më thotë: e gjeta zgjidhjen, duhet të më japësh kredi. Bëmë llogaritë dhe i thashë: nuk do më kthesh 500, por 550, me 10% interes, si në bankë. Filloi të thoshte duhet të punoj më shumë sepse kam kredi. Ishte hera e parë që kuptoi përgjegjësinë financiare”, u shpreh ai.
