
Dita Botërore e Kancerit u shënua me një mesazh të ngrohtë dhe të drejtpërdrejtë nga Kate Middleton, e cila u rikthye te një nga periudhat më të vështira personale: beteja e saj njëvjeçare me kancerin.
Përmes një videoje të publikuar në Instagram, Princesha e Uellsit u shfaq pranë pacientëve, duke folur për atë që shumë njerëz e njohin nga afër: lodhjen, frikën, por edhe forcat e papritura që lindin gjatë trajtimit dhe rikuperimit.
“Kur përballesh me këtë rrugëtim, e kupton që nuk është linear,” është thelbi i mesazhit të saj: ka ditë të rënda, me “momente frike dhe rraskapitjeje”, por ka edhe “momente force, mirëkuptimi dhe lidhjeje të thellë” me njerëzit përreth. Ajo theksoi se kanceri nuk prek vetëm pacientin, por edhe familjen, miqtë dhe kujdestarët që ecin krah tyre.
Në fjalën e saj, Kate Middleton u ndal edhe te dimensioni njerëzor i betejës: rëndësia e kujdesit, e mirëkuptimit dhe e shpresës dhe një frazë që e bëri mesazhin edhe më afër publikut: “Ju lutem, ta dini që nuk jeni vetëm.”
Sipas raportimeve, ajo e bëri publike diagnozën në mars 2024, ndërsa në shtator njoftoi për përfundimin e kimioterapisë dhe më pas për hyrjen në remision, duke u rikthyer gradualisht edhe në angazhimet e saj publike, përfshirë rolin si bashkë-mbrojtëse e The Royal Marsden.
Ndërkohë, edhe Prince William ka folur më herët për ndikimin që kjo periudhë pati te familja e tyre, në një paraqitje në The Reluctant Traveler me Eugene Levy.
Çifti mbetet prindër i tre fëmijëve: Prince George, Princess Charlotte dhe Prince Louis një detaj që e bën edhe më të prekshme atë që ajo përshkroi si “momente frike”, por edhe si një rikthim i kujdesshëm drejt normalitetit.
