Duket se për Brooklyn Beckham s’ka më kthim pas, të paktën në mënyrën si po e tregon publikisht raportin me familjen. 26-vjeçari ka mbuluar tatuazhet që kishte në gishta, të dedikuara për vëllezërit dhe motrën e tij, Romeo, Cruz dhe Harper.

Ai i kishte emrat e tyre të tatuazhuar në gishtat e dorës, të cilat shiheshin ende në një video gatimi të publikuar më 29 janar. Por tani, ato duken të “zhdukura” nën një dizajn të ri bardhë e zi, me efekt “reje”, që mbulon dorën dhe gishtat.

Ndërkohë, tatuazhet e shumta që i ka dedikuar bashkëshortes së tij, Nicola Peltz Beckham, mbeten të dukshme dhe nuk janë prekur.

Ndryshimi i tatuazheve është vënë re edhe në daljen e tij më 5 shkurt, ku ai u shfaq në publik me bashkëshorten. Po aty, sipas të njëjtit raportim, Brooklyn dukej sikur po dërgonte edhe një “mesazh të koduar” për vëllezërit: kishte veshur një T-shirt të bardhë me logon e Ford dhe sloganin “Good Brothers”, të kombinuar me kapele Nike dhe xhinse.

Përveç tatuazheve të vëllezërve dhe motrës, raportohet se Brooklyn ka mbuluar edhe një tatuazh të mëparshëm kushtuar të atit, David Beckham. Ai kishte në krahun e djathtë një tatuazh me spirancë ku në qendër shkruhej “DAD”, por tani fjala duket e mbuluar dhe e zëvendësuar nga një kompozim që ngjan me yll deti dhe dy mjete shpëtimi. Sipas një burimi të cituar nga Daily Mail, ai madje mund të ketë bërë edhe trajtim me lazer për ta ndryshuar tatuazhin.

Këto lëvizje vijnë pas një reagimi të ashpër publik, ku Brooklyn thuhet se ka deklaruar se nuk dëshiron pajtim me familjen. Në të njëjtin qëndrim, ai ka akuzuar prindërit, David dhe Victoria Beckham, se kanë fabrikuar “gënjeshtra të panumërta” dhe se kanë tentuar të “shkatërrojnë” martesën e tij me Nicolën. Madje, ai ka pretenduar se Victoria kishte prishur planet për fustanin e nuses në dasmën e vitit 2022 në moment të fundit, si edhe se kishte kërcyer “në mënyrë të papërshtatshme” me të gjatë pritjes së dasmës.