
Në një prej performancave më të komentuara të viteve të fundit, Bad Bunny e trajtoi halftime show-n jo si “show për show”, por si një deklaratë identiteti. Nga skenografia që imitonte hapësira të përditshme të Puerto Rico, te vendimi për të kënduar kryesisht në spanjisht, gjithçka u duk e ndërtuar për të thënë: “kultura ime nuk ka nevojë të përkthehet që të vlejë”.
Edhe veshja u lexua si pjesë e të njëjtit rrëfim. Bad Bunny zgjodhi Zara për një set krem minimalist, me një fanellë futbolli të personalizuar me mbiemrin “Ocasio” dhe numrin “64” në shpinë. Ky minimalizëm ishte në kontrast me prirjen e tij të zakonshme për dramë vizuale, prandaj dhe u bë menjëherë temë: pse kaq i thjeshtë, dhe pse pikërisht “64”?
Bad Bunny ka zbuluar se ishte një homazh për xhaxhain e tij të ndjerë, Tío Cutito.
“OCASIO, mbiemri i tij, i njëjtë me atë të mamasë sime, së bashku me vitin e lindjes, '64. Ia kushtova shfaqjen time para se të filloja; jam i sigurt që ai e pa, ishte i pranishëm dhe u ndje krenar për nipin e tij.”

Performanca u hap si një histori “nga poshtë lart”: referenca ndaj rrënjëve bujqësore, rrugëve dhe lagjeve (“barrio”), objekteve të zakonshme dhe detajeve të jetës së përditshme. Në vend të një skene futuriste, u ngrit një realitet i njohur, ku kultura nuk shitet si ekzotike, por shfaqet si normale.
Edhe një tjetër shtyllë ishte gjuha: të performosh kryesisht në spanjisht, në skenën më të madhe amerikane, është edhe zgjedhje artistike, edhe mesazh për përkatësinë.
