Në botën e Jennifer Lopez, qafa nuk është thjesht një pjesë trupi që mban kokën. Është pjesë e skenës, e koreografisë, e rutinës së stërvitjes dhe e mënyrës si ajo shfaqet në tapet të kuq. Ajo e thotë hapur se e ka marrë seriozisht këtë zonë shumë vite më parë, kur një make up artiste i pati thënë një frazë që s’i është ndarë kurrë nga mendja: mos e harro qafën, sepse të gjithë e harrojnë.

Dhe kur je njeri që kërcen si atlet, qafa bëhet realisht “pika e stresit”. Jennifer Lopez shpjegon se lëviz vazhdimisht kokën, bën akrobaci, rrotullime, rrëshqet në dysheme dhe mban një tension të madh pikërisht aty. Pra, për të, tonusi i qafës nuk është thjesht estetikë, është edhe funksion, mbajtje, kontroll i trupit.

Nga kjo ide lindi edhe një produkt i linjës së saj të bukurisë, një serum për qafën që synon të forcojë dhe të “ridizenjojë” lëkurën delikate poshtë nofullës. Ajo e përshkruan si një formulë që zbut vijat, e bën lëkurën më të lëmuar dhe e mban të hidratuar për një kohë të gjatë, duke punuar jo vetëm në sipërfaqe, por edhe më thellë.

Kur flet për stilin dhe bukurinë, Jennifer Lopez pranon se është nostalgjike, i pëlqen të kthehet te epokat e vjetra për frymëzim, nga divat e viteve 40 e 50, te glamuri i Hollywood të vjetër në vitet 60 e 70, e pastaj tek energjia hip hop e viteve 80 kur ishte fëmijë. Ajo thotë se estetika e saj ka qenë gjithmonë përzierje mes street style dhe luksit, mes couture dhe “Jenny from the Block”. Dhe ajo që e pëlqen te brezi i fëmijëve të saj është pikërisht kjo liri: për ta, gjithçka është cool, asgjë s’është jashtë mode, sepse frymëzimi është kudo dhe i aksesueshëm.

Por thelbi i saj nuk është truku i radhës apo një produkt magjik. Ajo e kthen gjithmonë tek ideja se bukuria nis nga brenda. Flet për shëndetin, për dashurinë ndaj vetes, për njerëzit me të cilët rrethon veten, për mendimet që ushqen çdo ditë. Sipas saj, një shpirt i bukur reflektohet në fytyrë dhe në mënyrën si e mban veten. Dhe ajo e sheh këtë si punë të përhershme, të gjesh më shumë vetëdije, më shumë vlerësim për veten, në mënyrë që të mund t’u japësh edhe të tjerëve diçka reale. Sepse nuk mund të japësh atë që s’e ke.

Në anën wellness, ajo pranon se ka një obsesion të ri që do ta provojë. Është e fiksuar me krioterapinë dhe banjat e ftohta, madje ka parë trendin ku njerëzit zhysin fytyrën në akull dhe e ka vendosur si një eksperiencë që do ta bëjë edhe vetë. I duket si diçka e fortë, pak ekstreme, pak filmike, por fiks ajo lloj gjëje që të zgjon dhe të disiplinon.

Dhe kur vjen puna te trupi, ajo e thotë pa e romantizuar. Njerëzit mendojnë se gjithë qëllimi është një trup i skalitur dhe po, edhe kjo ka rëndësi, por ajo e lidh gjithçka me ndjesinë e forcës. Kur ndihet e fortë, ndihet mirë. Kur e shtyn veten përtej kufijve në palestër, ajo mentalitet i shkon pas edhe në jetë, si një bindje që nuk ka situatë që s’e përballon.

Rutinën e saj kryesore prej vitesh ajo e përmbledh në dy fjalë: pesha. Për një kohë të gjatë kishte bërë më shumë cardio dhe stërvitje me qark, por prej rreth tetë vitesh është shumë e fokusuar te pesha, te ruajtja e masës muskulore dhe tonusi. E pranon që me kalimin e kohës ka ndryshuar edhe mënyra si ushqehet. Dikur mund t’i hante pa problem të gjithë karbohidratet, tani jo. Ka mësuar të hajë më shumë proteina dhe perime dhe thotë se çuditërisht, tani i pëlqen vërtet.

Ajo e quan “pikë kthese” periudhën kur xhiroi Hustlers. Ideja për të dalë në skenë me ato kostume e kishte frikësuar dhe pikërisht ajo frikë e bëri super të disiplinuar. Aty, sipas saj, stërvitja nuk i ndryshoi vetëm trupin, por edhe jetën. Dhe sot thotë se ndihet më e fortë sesa kur ishte në të njëzetat apo të tridhjetat.

Në fund, mes bukurisë, stërvitjes dhe mendësisë, mesazhi i saj është i njëjtë. Ajo beson se mënyra si mendon dhe si ndihesh emocionalisht, shfaqet edhe fizikisht. Prandaj për të, bukuria nuk është vetëm lëkurë, është mënyra si flet me veten, si i kontrollon mendimet negative dhe si e trajton veten me kujdes, që pastaj ta trajtosh edhe botën me të njëjtin standard.