
Miqtë më të afërt të James Van Der Beek po e kujtojnë me një lloj dhimbjeje që nuk bërtet, por të shpon. Pas ndarjes së tij nga jeta më 11 shkurt, disa prej njerëzve të rrethit të tij të brendshëm publikuan foto intime nga ditët e fundit, të qeta, të ngadalta, të mbushura me atë lloj pranisë që vjen vetëm kur e kupton se koha nuk është e pafund.
Një nga postimet që u përhap më shumë ishte ai i Stacy Keibler, e cila tregoi se kishte qenë pranë tij pak para fundit. Në një nga pamjet, ai shfaqet në karrocë, i dobësuar, ndërsa të dy shohin perëndimin. Nuk ka dramë në fotografi, vetëm një heshtje e bukur dhe e rëndë njëkohësisht. Ajo shkruan se ato ditë pranë tij i dukeshin si “dhuratë”, sepse kur e di që koha është e shenjtë, nuk e shpërdoron asnjë minutë. Nuk nxiton, nuk shpërqendrohesh, nuk e humb veten në gjëra të kota. Rri, dëgjon, mban dorën, shikon qiellin dhe lejon që ajo pamje të të ndryshojë brenda.
Në fjalët e saj, mësimi që ai la pas nuk lidhet me karrierën, famën, apo rolet, por me të tashmen. Me idenë se momenti i vetëm i sigurt është ky që po jeton. Se dashuria është te njerëzit që ke përballë. Se duhet t’i thuash fjalët, t’i japësh përqafimet, të mos e lësh zemrën për nesër.
View this post on Instagram
Një tjetër postim i fortë erdhi nga stilistja Erin Fetherston, e cila konfirmoi se kishte qenë gjithashtu pranë tij. Ajo ndau një seri fotosh, ku në njërën prej tyre ai shfaqet në shtrat, ndërsa ajo i mban dorën. E quan “vëlla” dhe tregon se për ta ai ishte më shumë se një mik, ishte “Xhaxhai James”, ai njeri që shfaqej gjithmonë, që nuk të linte në baltë, që vinte kur kishe nevojë pa të kërkuar shpjegime. Ajo premton se do të qëndrojë afër familjes së tij, sikur po e vazhdon një besë që s’ka nevojë të thuhet me zë të lartë.
View this post on Instagram
Edhe Alfonso Ribeiro ndau një kujtim të vetin, duke thënë se kishte qenë pranë tij gjatë rrugës së gjatë dhe të vështirë të sëmundjes. Ai e përshkroi si një udhëtim me ulje-ngritje, me momente kur dukej sikur gjithçka po shkonte drejt fitores, e pastaj me rrëzime kur shpresa kthehej në frikë. Në fund, ajo që mbetet në fjalët e tij është jo tronditja, por mirënjohja që arriti t’i thoshte lamtumirë.
Në mes të gjithë këtyre postimeve, rrëfimi që përsëritet është i njëjtë: James Van Der Beek nuk po kujtohet vetëm si aktor i një brezi, por si njeri që edhe në ditët më të vështira mbeti i pranishëm, i dashur, i qetë, i lidhur fort me familjen e tij. Dhe në mënyrë të çuditshme, këto foto nuk janë thjesht “momente të fundit”. Janë një kujtesë brutalisht e butë që jeta, në fund, matet me sa i ke dashur njerëzit dhe sa i ke jetuar minutat kur të janë dhënë.
