
Louvre është muzeu ku historia, arti dhe fuqia e imagjinatës njerëzore, përgjatë viteve, bashkohen në një koleksion të pakrahasueshëm. Brenda mureve të tij ruhen disa nga kryeveprat më të çmuara, që kanë ndikuar mënyrën se si e shohim të bukurën. Mes mijëra veprave, pesë prej tyre qëndrojnë si simbole absolute të artit botëror.
Mona Lisa, piktura e Leonardo da Vincit, është kthyer në një nga ikonat e Louvre dhe ndër më të famshmet e të gjithë historisë së artit. Buzëqeshja enigmatike dhe shikimi që duket se ndjek çdo vizitor, ndërsa shkrepjet e vedosin prej vitesh në fokus, e kanë bërë këtë portret një legjendë me interes të madh, jo vetëm nga artdashësit.
E vendosur madhështore në krye të shkallëve të Louvre, Winged Victory of Samothrace është një nga skulpturat më mbresëlënëse të botës antike. Kjo figurë e perëndeshës Nike, me krahët e hapur dhe lëvizjen dramatike të trupit, transmeton triumf, energji dhe madhështi — një vepër që të lë pa frymë edhe pas mijëra vitesh.
Liberty Leading the People është një simbol i fuqishëm i Francës moderne dhe i betejës për idealet njerëzore. Në këtë pikturë ikonike, Delacroix e kthen revolucionin në art. Mbajtja e flamurit francez mes tymit dhe kaosit, është një imazh që ka tejkaluar kohën dhe është bërë emblemë universale e guximit dhe shpresës.
E njohur për përmasat e saj monumentale dhe detajet madhështore, “The Wedding at Cana” është një nga pikturat më të mëdha dhe më spektakolare të Louvre. Veronese paraqet një vepër që të fton të humbësh në çdo detaj, nga ngjyrat te personazhet, që krijojnë atmosferën aristokratike.
Ndërsa në “Le Sacre de Napoléon”, Jacques-Louis David dokumenton një nga momentet më të rëndësishme të epokës moderne: kur Napoleon Bonaparti kurorëzohet perandor. Piktura është një manifest i pushtetit, ambicies dhe teatrit politik, ku çdo figurë dhe çdo dritë është e ndërtuar për të treguar madhështinë e një perandorie që kërkonte të përjetësohej.
Këto pesë vepra nuk janë thjesht copëza të një muzeu, por janë kapituj të historisë së njerëzimit. Secila përfaqëson një epokë, një ideal dhe një mënyrë të ndryshme për të kuptuar bukurinë, pushtetin dhe shpirtin njerëzor.
