
Pas prezantimit të parë publik me partnerin vitin e kaluar, Kida duket se po hyn në një tjetër kapitull edhe më të madh të jetës së saj. Sipas raportimeve që po qarkullojnë, këngëtarja dhe partneri i saj, Ajbi, pritet të kurorëzojnë lidhjen me martesë gjatë këtij viti.
Thuhet se ceremonia do të mbahet në shtator dhe se do të jetë e organizuar në mënyrë të rezervuar, vetëm me familjarët dhe miqtë më të afërt të çiftit. Edhe pse Kida nuk ka bërë ende një njoftim publik, zërat lënë të kuptohet se përgatitjet kanë nisur dhe se dyshja po i shkon seriozisht këtij hapi.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2024, Kida ndau me ndjekësit e saj një moment shumë të veçantë: propozimin për martesë nga partneri i saj, i realizuar në mënyrë romantike. Ajo e shoqëroi postimin me fjalët:
“Ndriçove qiellin, siç ke ndriçuar jetën time.”
Pak javë më pas, këngëtarja publikoi edhe disa fotografi ku zbuloi më qartë portretin e Ajbit, duke e bërë lidhjen e tyre edhe më të dukshme për publikun.
Tani, nëse këto raportime konfirmohen, mbetet të pritet vetëm detajet e radhës nga përgatitjet dhe, natyrisht, kurioziteti i zakonshëm: çfarë fustani nusërie do të zgjedhë Kida për ditën e saj më të rëndësishme.
